Miqësia mes Enver Kushit dhe Moikom Zeqos i ka fillesat, në bankat e Fakultetit të Filologjisë, plot 54 vite më parë.
Libri dedikuar mikut të tij, vjen në përvjetorin e vdekjes, por në dijeni ka qenë edhe Moikomi, i cili ka miratuar shkrimin dhe titullin e tij.
“Titullin e librit e gjeti Moikomi sepse unë çova titull tjetër. Titulli që kisha vënë ishte “Me Moikomin dhe për Moikomin”. E pa, e më tha që është shumë i gjatë dhe do ta lëmë, “Me Moikomin”.
Në faqet e këtij libri, pasqyrohen çastet e fundit të largimit të erudit nga kjo jetë, si dhe pengjet e tij.
“Një nga pengjet e mëdha të tij ishte se e lanë pa punë. Lidhur me botimet, kam një peng të madh, – më tha. Dua të përfundoj një libër të jetës time për arkeologjinë, së dyti dua të shoh të botuar librin për Onufrin, po ashtu një libër për Skënderbeun pasi e kam botuar në shumë pak kopje dhe nuk ka pasur farë jehonë”, thotë ai.
Kushi, veçon optimizmin që e karakterizonte deri në fund.
Shpesh, biseda orientoheshin mbi letërsinë, historinë, arkeologjinë apo politikën, ku si çmim Moikomi mori zhgënjimin prej saj.
“Është e çuditshme leksioni që ai na mbante për letërsinë. Duke filluar nga letërsia shqiptare po ashtu edhe botërore. Por për letërsinë shqiptare, ai kishte mit dhe idhull Migjenin, Naim Frashërin. Kishte mit dhe idhull katër “B” e mëdha, Buzukun, Bardhin, Budin dhe Bogdanin”, tregon ai.
Letërkëmbimi zë një vend të rëndësishëm, kryesisht ai para Pleniumit të 4, kohë kur edhe u dënua letërsia e tij si hermetike. Më pas u internua në Rrogozhinë, ku sërish u takua me mikun e tij Enver Kushi.
“Kanë filluar debatet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe fjalët që më thotë janë: atmosfera këtu është e rëndë”.
Edhe në atë vend të vogël, ai kujton nxitjen e brezit të ri drejt letërsisë, apo folklorit prej Moikomit.
“Falë punës së Moikomit dhe asaj që bëri me talentet e reja, po ashtu edhe Xhelal Tosku është fryt i Moikomit”.
Libri “Me Moikomin” është një dedikim që Enver Kushi, i jep vlerë miqësisë së vërtetë edhe në kohë moderne./abcnews.al/