Opozita në Kosovë dështoi në miratimin e një resolute që do t’i ndalonte presidentit Thaçi të negociojë për korrigjim kufijsh në Bruksel me Serbinë. Kjo përpjekje e opozitës është cilësuar nga kryeministri Haradinaj si lojë politike për të fituar pikë.
Nisi me vonesë, por përfundoi shumë shpejt. Në Kosovë u zhvillua një seancë plenare në të cilën opozita tentoi me çdo kusht miratimin e nje rezolute, e cila kishte për qëllim t’i ndalonte presidentit Hashim Thaçi të diskutonte për korrigjimin e kufijve me Serbinë në Bruksel. Por kjo përpjekje e tyre dështoi pasi vetëm 50 prej deputetëve votuan “pro”, ndërsa 91 deputetë ishin të pranishëm në sallë.
Për miratimin e kësaj resolute nevojitej shumicë e thjeshtë prej 61 deputetësh. Menjëherë pas këtij votimit, deputetët opozitarë janë larguar nga salla e Kuvendit. Ndërkohë, nga lëvizja Vetëvendosje nuk i kanë përjashtuar protestat për të kundërshtuar idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh me Serbinë.
Ndërkohë, këto zhvillime janë komentuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili foli pas homazheve pranë shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë, në ditëlindjen e 56-të tij. Shefi i qeverisë e cilësoi rezolutën si lojë mes partive për të fituar pikë politike.
Ramush Haradinaj: “Në disa raste, po shihet një lojë në mes të partive. Deputetët po përfaqësojnë më shumë një lojë për poenë sesa për qëllim. Nëse qëllimi i Parlamentit është të nxjerrë një rezolutë, atëherë mendoj se duhet të kërkojnë një mes të gjitha partitë dhe deputetët. Unë i kam lutur ta kërkojnë këtë mes”.
Në këtë mënyrë presidenti Thaçi nuk ka asnjë pengesë që të vijojë të ndjekë idenë e tij për korrigjim kufijve me Serbinë, çështje të cilën e konsideron të rëndësishme për arritjen e një marrëveshje përfundimtare./abcnews.al