Milani u ngjit në zonën Champions në Serinë A, pas suksesit 2-1 ndaj Xhenoas. Gjithsesi, trajneri Gatuzo nuk është ende i kënaqur me skuadrën e tij.
Gabohen ata që e shohin si një pikë mbërritjeje. Ky Milan në zonën Champions në Serinë A është thjesht në fillimin e një rruge të gjatë drejt kthimit tek lavdia. Trajneri Xhenaro Gatuzo nuk ka dyshim, madje bindja iu përforcua edhe më shumë pas fitores së vuajtur 2-1 në “San Siro” ndaj Xhenoas. U morën vërtet tri pikë, dhe u arrit vendi i katërt me 18 pikë, pas Juventusit, Interit e Napolit, u luajt edhe mirë për një kohë të gjatë, veçse u rrezikua të dështohej. Goli i Alesio Romanjolit u shënua vetëm në sekondat e fundit, ato shtesë, ndërsa vetë kapiteni shkaktoi autogolin e barazimit të përkohshëm.
“Ishte një fitore e rëndësishme dhe një ndeshje e mirë, por duhet ende që të punojmë fort. Paraqitja ishte tepër pozitive sidomos në 25 minutat e para, veçse sërish bëmë gabime, të cilët duhet t’i eleminojmë. Fitorja na lejon të arrijmë vendin e katërt, por unë e quaj vetëm hapin e parë. Nuk duhet të kemi frikë dhe duhet të konfirmohemi. Donaruma ishte i rëndësishëm duke na shpëtuar disa herë”, tha ai.
Titujt e gazetave ishin lavdërime për shkak të vendit të katërt.
“La Gazeta delo Sport”: I ëmbli Milan! Hallouin në “San Siro”, festa është e Gatuzos në minutën e 91-të, 2-1 ndaj Xhenoas!
“Il Korriere delo Sport”: Në fund shijon Rino! Gatuzo ngjitet në vend të katërt dhe kap Championsin!
Analistët gjithsesi mendojnë se skuadra e Gatuzos ka sërish probleme. Dëmtimi i Bilias është goditje e rëndë për sistemin e lojës së milanistëve, pasi ishte regjisori. Bakajoko, Kesi, Çalhanoglu nuk janë në maksimum, ndërsa Bonaventura gjithashtu është i dëmtuar. Mbrojtja po ashtu, pëson gola thuajse në çdo ndeshje. Sidoqoftë, Milani është në rritje, dhe besohet se i ka të gjitha mundësitë për të realizuar objektivin më realist, kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al