Kosovë, dështon seanca për rezolutën e bisedimeve me Serbinë

schedule22:38 - 31 Tetor, 2018

schedule 22:38 - 31 Tetor, 2018

Parlamenti i Kosovës ka dështuar në votimin e rezolutës së opozitës për dialogun me Serbinë, që si pikë kyçe ka paprekshmërinë e territorit të Kosovës. Seanca e zhvilluar është shoqëruar nga debate dhe akuza të ashpra.

Partitë politike në Kosovë nuk kanë gjetur konsensusin për të miratuar rezolutën e propozuar nga opozita në lidhje me dialogun me Serbinë. I hartuar nga LDK, drafti parashikon paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe kalimin e rolit të përfaqësuesit në bisedime nga Presidenti tek Parlamenti.

Avdullah Hoti, LDK: “Çështjet e sovranitetit territorial i takojnë vetëm sovranit të këtij vendi, pra Kuvendit. Askush tjetër nuk ka kompetencë të trajtojë çështjet kombëtare”.

Ndërsa deputetja Besa Gaxheri akuzoi presidentin Hashim Thaçi se pasi tradhtoi shokët e luftës po punon për qëllime anti-kombëtare.

Besa Gaxheri, LDK: Maskën e maskaradës e hoqe vetë këto ditë kur po tenton të realizosh qëllimin tënd anti-kombëtar, të falësh territorin e fituar me mund e gjak nga gjeneratat e popullit shqiptar”.

Kreu i grupit kuvendor të PDK-së, Memli Krasniqi kërkoi që dokumentit t’i shtohen edhe disa pika.

Memli Krasniqi, PDK: “Kuvendi do të angazhohet për një konsensus të brendshëm duke përfshirë platformën e përbashkët për dialogun…”

Më pas fjalën e mori kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u shpreh i zhgënjyer nga forma që mori debati në seancë.

Ramush Haradinaj: “Nuk kemi për të patur qarrë nëse ndahemi në Parlament pa gjetur një formulë për mbrojtjen e interesit kombëtar. Demokracia ka debate, por s’ka qarrë pa gjetur një moment kur duhet të themi ‘po’ ose ‘jo’ për interesin tonë”.

Në mungesë të konsensusit seanca u mbyll. Parlamenti i Kosovës do të mblidhet sërish të enjten, por shanset për një dakordësi mes palëve janë minimale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!