Sulmin frontal ndaj kreut të bashkisë Durrës, Partia Demokratike e vijoi nga foltorja e selisë ku deputeti Ervin Salianji iu referua sërisht dosjes, tashmë të famshme, 339, pjesët publike të së cilës demokratët i kanë quajtur vetëm majën e ajsbergut.
“Për Vangjush Dakon, tani e kemi të provuar se i lutet kreut të bandës së Avdylajve për takim falenderues pas zgjedhjeve, ushtarët me të cilët Dako komunikon refuzojnë ta shqetësojnë bosin”.
Për Salianjin, janë përgjimet e prokurorisë ato që vërtetojnë akuzat e demokratëve dhe veç plazhit privat të Avdylajve në Durrës, të provuar me fakte sipas selisë blu, Dako ka shpërblyer edhe të tjerë, ndaj shpjegimet ia kërkon me emra nominal.
“A e ka takuar Gjushi Cinën, një nga anëtar e bandës, për t’i siguruar ndërtimin e Avdylajve në det? Vangjush Dako duhet të thotë mbi çfarë kriteresh Peposhët e Durrësit, që terrorizuan zonën e shkozetit gjatë zgjedhjeve, kanë marrë parkimin tek sheshi i Stacionit të Trenit, mbi çfarë kriteresh emëroi administrator në Sukth Bert Hoxhën person me precedentë të rëndë kriminale… Rud Taullai me linjat e transportit urban ka përfituar privilegjet e pushtetit të Vangjush Dakos dhe Edi Ramës? Kep Arapi me ndërtime në mijëra metra katrorë tek Gjiri i Lalzit? Ron Shqopa, Drejtor i rëndësishëm në Durrës”?
Kriteri i vetëm sipas Partisë Demokratike, që lidh gjithë të sipërpërmendurit është shërbimi ndaj Dakos dhe Ramës përmes krimit elektoral që i solli në pushtet, kriter mbi të cilin kreu i bashkisë Durrës duhet të prangoset, përfundon deklarata e selisë blu./abcnews.al