Besian Xhixha nga Nikla dhe Enver Diva nga Fushë-Mamurrasi, kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi akuzohen për bashkëpunim në eliminimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, vrasje kjo e ndodhur më 27 prill të vitit 2020, te tregu i makinave, në qytetin bregdetar të Durrësit.
ABC ka mësuar detaje të reja lidhur me dy të arrestuarit. Raportohet se Besian Xhixha dhe Enver Diva pasi ishin takuar me një nga të arrestuarit për vrasjen e dy vëllezërve, Nuredin Dumani, u ishte caktuar detyra që të vëzhgonin lëvizjet e viktimave dhe të raportonin tek Dumani.
Pasi kanë vëzhguar lëvizjet e dy vëllezërve, ata kanë qenë gati për të kryer ekzekutimin e tyre, por në momentet e fundit, Enver Diva nga Fushë-Mamurrasi, është infektuar me koronavirus, dhe për pasojë nuk e ka kryer dot “misionin”.
Megjithatë ai nuk i ka shpëtuar drejtësisë, pasi sot ka rënë në pranga bashkë me Besian Xhixhën dhe akuzohen “Për përshtatje të terrenit të vrasjes”.
Enver Diva baba i tre vajzave, mësohet se është një person i njohur për uniformat blu dhe cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë. Vetëm tre ditë para vrasjes, Diva foli për mediat ku denonconte faktin se ishte infektuar me COVID nga bashkëshortja e cila punonte në një fasoneri. Par kamerave ai deklaronte se nuk kishte para dhe ushqim për familjen.
Vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia ndodhi më 27 prill, rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinën e tyre tip “Golf” ku u gjetën të pajetë brenda mjetit të tyre.
Për vrasjen deri më tani është arrestuar Altin Ndoci, i cili po ashtu akuzohet nga Prokuroria edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në qytetin e Durrësit në Mars.
Në pranga për këtë ngjarje ka rënë edhe Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën se si kanë kryer vrasjet.
Ndërkohë, prokuroria është duke hetuar edhe një pistë tjetër për shkakun e vrasjes së vëllezërve Haxhia, e cila lidhet me grabitjen e 5 milion eurove në Rinas.
Dyshohet se vëllezërit Haxhia strehuan për disa ditë njërin nga grabitësit duke ngjallur konflikte për një sasi parash, të cilat kanë humbur. e.l/abcnews.al/