Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion njëvjeçar policor të koduar “Parku” duke vënë në pranga 12 persona dhe duke shpallur në kërkim gjashtë të tjerë.
Operacioni është kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH.
Mësohet se në pranga për prodhim dhe shitje narkotikësh, shkatërrim i pronës me zjarr dhe moskallëzim krimi janë vënë Deivid Shuaipi, Farjon Palushi, Jurgen Halitaj, Ismail Gurra, Denard Buci, Josif Ceka, Oltion Doku, F. S (i mitur), L. D (i mitur), Fabian Pitani, Doris Murati dhe A. Ll.
Ndërsa, në kërkim janë shpallur, Arnaldo Çiçaj, Ergest Mema, Frenkli Sorra, Redi Palushi, Aleksandro Maliqaj dhe R. D.
Këta persona merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike në zonën e ish-Parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”. Siç njofton policia, në periudhën njëvjeçare të hetimit janë janë sekuestruar sasi me lëndë narkotike dhe shuma të ardhura nga shitja e këtyre të fundit.
NJOFTIMI
Finalizohet pas një hetimi njëvjeçar, operacioni policor “Parku”.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë.
Vihen në pranga 12 persona dhe shpallen në kërkim 6 persona të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, mbi bazën e ankesave të banorëve të zonës së ish-parkut, të cilët shprehnin shqetësimin se ushtrohej aktivitet kriminal në tregtimin e lëndëve narkotike në këtë zonë, me marrjen e informacionit nga strukturat e Hetimit të Komisariatit Policisë Nr. 2 Tiranë, është organizuar puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtare kriminale dhe në bashkëpunim me Prokurorinë është regjistruar procedimin penal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrim i pronës me zjarr”.
Pas një viti hetimesh të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Sektorin për Narkotikët në DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, bazuar në provat e grumbulluara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Parku”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit ndaj shtetasve:
D. Sh., 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; F. P., 27 vjeç, J. H., 19 vjeç, I. G., 26 vjeç, D. B., 20 vjeç, J. C., 20 vjeç, O. D., 19 vjeç, F. S., 17 vjeç, L. D., 17 vjeç, F. P., 22 vjeç dhe D. M., 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; A. Ll., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Po në kuadër të procedimit penal janë shpallur në kërkim shtetasit:
A. Ç., 27 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; E. M., 22 vjeç, R. P., 25 vjeç dhe A. M., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; F. S., 27 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”; R. D., 21 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Moskallëzim krimi”.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasit D. Sh. (i ndaluar) dhe A. Ç. (i shpallur në kërkim), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.04.2021, në rrugën “Ndre Mjeda”, i kanë djegur 2 automjete shtetasit Sh. K.
Gjithashtu, po në kuadër të këtij procedimi penal, më datë 16.02.2021 është finalizuar operacioni “KONTAKT”, si rezultat i të cilit janë arrestuar 3 shtetas: D. H., A. B. dhe I. P., ndërsa më datë 03.08.2020 është arrestuar shtetasi M. B.
Si rezultat i hetimeve të kryera përgjatë një viti, duke përdorur edhe dronë për vëzhgimin e këtyre personave, është bërë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të 22 shtetasve.
Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar sasi me lëndë narkotike dhe shuma të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike. Këta shtetas e zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën ish-parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe në rrugën “Frosina Plaku”.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. s.b/abcnews.al/