Pandemia na ka privuar për shumë gjëra dhe një ndër më të rëndësishmet është pamundësia për të takuar njerëzit e zemrës. Për këtë periudhë të vështirë foli dhe moderatorja Liesa Haxhiasllani mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”, ku tregoi se prej disa muajsh nuk ka mundur t’i takojë prindërit e saj që ndodhen në Greqi.
“Nuk i kam takuar ende, mamin nuk e kam takuar gati më shumë se një vit. Akoma nuk është krijuar mundësia sepse jetojnë në një ishull dhe nuk udhëton dot tani. Do të duhet të shtyhet për një tjetër moment.“, tha Liesa.
Ajo tregoi se gushtin e kaluar ishte testuar pozitive me koronavirus, por siç tha ajo, edhe pse e kishte kaluar në një formë të lehtë, frika dhe ankthi e kishin bërë më të vështirë situatën. “Isha vetëm dhe nuk e kalova rëndës, por vetëm paniku që përhapej, të krijohej një ankth. Dhe për faktin se nuk kisha afër njerëzit e dashur, ishte një provim i madh për një njeri që është mësuar ta ketë familjen afër gjatë gjithë kohës.”, tha Liesa. /abcnews.al