Grupimi për Partinë Demokratike, nga i cili kandidonte për kreun e partisë zonja Edith Harxhi, ka reaguar në lidhjen me procesin e zgjedhjeve që u mbajt më 13 qershor. Në një deklaratë për mediat, Grupi për PD-në denoncon një sërë shkeljesh statutore që sipas tyre janë bërë ndërsa procesin zgjedhor e cilësojnë si të pabarabartë, të padrejtë dhe me shkelje të rënda.
Grupimi për PD shprehet se kryetari partisë në këto zgjedhje është votuar vetëm nga 32 mijë anëtarë nga 75 mijë që janë të regjistruar.
“25 mijë më pak se në vitin 2017 dhe 3 mijë më pak se në vitin 2013 kur PD ka qenë ende në pushtet dhe ka pasur 40 mijë votues pjesëmarrës në zgjedhjet për kryetar partie.”
Më tej në konkluzionet e deklaratës shkruhet:
“Kryetari I zgjedhur nuk përfaqëson as shumicën e thjeshtë të anëtarësisë së partisë, por një minorancë duke mos i dhënë legjitimitet statutor dhe forcë morale për të drejtuar një proces reformash të thella të cilat janë sot emergjencë dhe jetike për PD-në.”
Grupimi për PD-në bën të ditur gjithashtu se angazhimin brenda partisë për demokratizimin e saj do ta vijojnë.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 13 qershorit Lulzim Basha fitoi mandatin e tretë me 81 për qind të votave.
Ndarja e votave u bë si më poshtë:
Fatbardh Kadilli: 781
Edith Harxhi: 983
Agron Shehaj: 6, 038
Lulzim Basha: 32 882 s.b/abcnews.al/