“Christian Eriksen ndodhet në gjendje të mirë dhe të stabilizuar“, u shpreh Jakob Hoyer, drejtori i informacionit i kombëtares së Danimarkës. Fantazisti i Interit pritet të dalë nga spitali ditën e nesërme pas arrestit kardiak që pësoi në duelin ndaj Finlandës në Euro 2020.
Eriksen ka komunikuar me shokët e skuadrës nëpërmjet një video-masazhi, teksa kapiteni Simon Kjaer dhe portieri Kasper Schmeichel e kanë vizituar në spital, aty ku qëndron i shtruar prej tre ditësh.
“Ishte shumë e bukur ta shihnim sërish duke buzëqeshur dhe ta ndjenim që ishte aty me ne. Ishte një përvojë e shkëlqyer që më ndihmoi shumë. I njoh gruan dhe fëmijët e Christian“, deklaroi Schmeichel, i cili ndalet edhe te Kjaer.
“Jam krenar që e kam Kjaer kapiten. Ai ka një humanizëm të pabesueshëm, nuk u befasova aspak nga ajo që bëri dhe si e bëri. Simon dhe Christian kalojnë shumë kohë së bashku në Milano. Biseduam shumë me Christian, rëndësi ka që ndodhet mirë.
Në stilin e tij na bëri të ditur që duhet të mendojmë për ndeshjen e së enjtes ndaj Belgjikës. Kjo do të thotë shumë“, u shpreh Kasper Schmeichel, portieri titullar i skuadrën vikinge.
Ndërkohë, UEFA ka reaguar pas akuzave nga kampin danez, që theksonin se lojtarët ishin të detyruar të zbrisnin në fushë për të mbyllur ndeshjen me Finlandën. “UEFA është e sigurt që e ka trajtuar situatën me respektin më të madh për momentin delikat që po përjetonin lojtarët.
U vendos që të rifillojë ndeshja vetëm pasi të dy skuadrat kërkuan të përfundonin ndeshjen në të njëjtën mbrëmje. Nevoja e lojtarëve për të pushuar 48 orë midis ndeshjeve, eliminoi opsionet e tjera“, lexohet në postimin zyrtar të UEFA-s. /abcnews.al