Portugalia kaloi me sukses krizën “Ronaldo”, duke mundur në transfertë 4-2 Danimarkën. Fitorja e tretë radhazi për luzitanët në po aq ndeshje në Ligën e Kombeve, që i jep të drejtë, të paktën për momentin trajnerit Jorge Jesus në përplasjen e tij me CR7. Sulmuesi u largua nga kombëtarja 24 orë para ndeshjes, ndërsa tani ka humbur edhe numrin e tij historik, që iu dha Rafael Leao.
Joao Cancelo shënoi golin e epërisë për miqtë në minutën e 13-të, duke hapur sfidën, që më pas do të bëhej spektakolare.
Danezët u përgjigjën shpejt, duke barazuar rezultatin me Damsgard në minutën e 23-të.
Të zotët e shtëpisë nuk kishin kohë të festonin, pasi vetëm dy minuta më pas, Goncalo Ramos ktheu sërish avantazhin e portugezëve.
Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit Hojlund barazoi edhe një herë rezultatin, ndërsa golin ia dedikoi Cristiano Ronaldo.
Por shpresat e danezëve për një rezultat pozitiv u shuan duke nisur nga minuta e 67-të, kjur Vitinha shënoi golin e tretë për luzitanët.
Portugezët vulosën fitoren dhe mbrëmjen e tyre të madhe vetëm tre minuta nga fundi i kohës së rregullt me realizimin e Joao Felix.
Me këtë sukses, skuadra e Jorge Jesus kryeson e vetme dhe e shkëputur grupin 4 në Ligën A dhe duket se e ka siguruar përpara kohe vendin e parë. Në sfidën e katërt, që do të luhet pas dy ditëve, Portugalia do të presë në fushën e saj Norvegjinë.


