Partizani-Skënderbeu është një ndeshje e madhe e Superligës shqiptare. Kështu vlerëson trajneri i korçarëve, Orges Shehi, që kërkon maksimumin nga lojtarët e tij.
Përgatitjet nuk kanë qenë nga më të mirat. Jo përsa i përket angazhimit, pasi ai sigurisht nuk ka munguar tek Skënderbeu, por skuadra nuk ka qenë e plotë. Tre lojtarë të rëndësishëm janë në rrezik për të mos luajtur ndaj Partizanit këtë të hënë në “Selman Stërmasi”, por trajneri i korçarëve, Orges Shehi, së pari dëshiron të flasë për efektin e ndeshjes.
“Nga vetë pozicionet ku jemi dhe nga vetë strukturat e skuadrave besoj se është një ndeshje tepër emocionuese”, tha Shehi.
Më pas, ai flet për dyshimet për Muzakën, Radashin dhe Krasniqin, si dhe pyetet për problemet disiplinore tek Partizani.
“Javë e vështirë për ne përsa i përket dëmtimeve sepse plot tre lojtarë kryesorë nuk janë stërvitur 100 për qind me grupin, por shpresojmë që të rekuperojmë ndonjërin prej tyre”, theksoi trajneri Shehi.
Fazën e parë, Skënderbeu fitoi pikërisht në fund, duke luajtur më mirë sesa Partizani.
“Sigurisht që janë ndeshje të ndryshme. Nuk i ngjan saj që ke pasur para një jave jo më asaj dy muajsh. Për ne duhet të përsiritet ai shpirt gare për të fituar. Sigurisht që mjafton për të dhënë maksimumin, pastaj në futboll ka dhe fat ka dhe episode”, tha ish-portieri i Skënderbeut.
Partizani kryeson renditjen e Superligës me 22 pikë pas 9 javësh, ndërsa Skënderbeu është i dyti, me 20./abcnews.al