Turin e dëgjesave për buxhetin e Tiranës për vitin e ardhshëm kryetari i bashkisë e ndali në Njësinë Administrative Numër 1. Erion Veliaj u shpreh se investimet do të vijojnë në çdo lagje, por për ta çuar para kryqytetin kërkoi votë masive për Partinë Socialiste.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u kërkoi banorëve të Njësisë Administrative numër 1 të mbështesin masivisht Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë mënyrë tha Veliaj ritmi i punëve publike nuk ndalet.
“Nëse doni të më jepni një dorë, që bashkë me këtë skuadër ta çojmë edhe më përpara Tiranën, na duhen votat masive për Partinë Socialiste në Këshillin Bashkiak. Kjo është e vetmja mënyrë për ta çuar edhe më lart vizionin që kemi për Tiranën.”
Pasi sipas Erion Veliajt këshilltaret e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës paraqiten në mbledhje vetëm për të firmosur dhe për të marrë pagesat e honorareve.
“I shoh vetëm tre minuta, vijnë në Këshillin Bashkiak, firmosin për të marrë honorarin dhe më pas zhduken, nuk rrinë në mbledhje as për vendimin për ndihmën ekonomike, as për vendimin për aftësinë e kufizuar, as për rimbursimin e energjisë, as për banesat sociale, as për bonusin e qirasë”, theksoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se prej shumicës së majtë në Parlament në Shqipëri po merren vendime që më parë dukeshin të pamundura për t’u realizuar.
“Po u bë teatri, ata e dinë se nuk fitojnë më zgjedhje në Tiranë. Ju mendoni se ata që erdhën me vezë kanë shkuar ndonjëherë në teatër? Po u bë punë në Tiranë dhe në Shqipëri, partia e tyre nuk vjen më kurrë në pushtet! Do rrijë Tirana peng i ca shpifësve?! E keni parë, kanë filluar t’i humbasin të gjitha gjyqet. E duam kryetarin e Bashkisë të punojë më shumë? Eja i japim votat që i duhen në Këshill, ashtu siç i dhamë votat e Tiranës. Ata nuk shkojnë as në Parlament! Si e merrin rrogën 1 milionë e 400 mijë lekë dhe nuk shkojnë në Parlament?!”
Kryebashkiaku premtoi se bashkia do të vijojë investimet në çdo rrugicë dhe lagje të Tiranës./abcnews.al