Marrëveshja e Shkupit me Athinën, Ramadani: Do të korrigjohen tekstet e debatueshme

schedule19:16 - 28 Tetor, 2018

schedule 19:16 - 28 Tetor, 2018

Në Maqedoni vijon puna për implementimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë. Anëtari i komitetit të përbashkët interdisiplinar thotë se do të korrigjohen tekstet e debatueshme mes palëve. Gjithashtu njofton se do të takohet edhe me Komitetin Interdisiplinar grek.

Me Marrëveshjen Maqedoni-Greqi, të arritur më 17 qershor në Prespë, ndër të tjera parashikohet edhe formimi i një Komiteti të Përbashkët Interdisiplinar i përbërë nga ekspertë të çështjeve historike, arkeologjike dhe arsimore, me qëllim të shqyrtimit dhe interpretimit objektiv të ngjarjeve historike me mbështetje në provat shkencore. Anëtari i këtij Komiteti shtatanëtarësh nga Maqedonia, profesori universitar Fehari Ramadani tha për TV Klan Maqedoni se së shpejti do të mbahet edhe një takim i përbashkët me homologët nga Greqia me qëllim të bashkërendimit të punëve aspak të lehta që presin të dyja palët.

Historiani Fehari Ramadani, i vetmi shqiptar në Komitetin e Përbashkët Interdisiplinar prej shtatë anëtarësh, thotë për TV Klan Maqedoni se misioni i tij parësor është rishikimi i teksteve dhe materialeve ndihmëse mësimore, i hartave, atlaseve të historisë dhe udhëzimeve arsimore që janë në përdorim në të dyja vendet. Gjithë kjo, nënvizon ai, do të bëhet në përputhje me parimet dhe objektivat e UNESKO-s e të Këshillit të Evropës. Profesor Ramadani shpjegon se tekstet e debatueshme kanë për të pësuar ndryshime për t’ua lënë vendin, sikurse thotë ai, fakteve të pranuara ndërkombëtarisht:

I pyetur për sfidat që e presin këtë Komitet të Përbashkët Interdisiplinar, Ramadani thotë se pret që gjatë punës së tij të mbizotërojnë faktet.
Aktualisht, VMRO-DPMNE-ja opozitare e ka cilësuar Marrëveshjen e Prespës si një traktat që shpërfytyron Republikën e Maqedonisë duke zhbërë, sikurse është shprehur kreu i saj, Hristijan Mickovski, identitetin kushtetues të saj dhe duke shkruar një histori, traditë e një kulturë të re. Ndërkohë, Marrëveshja është cilësuar nga mazhoranca parlamentare, por edhe faktori ndërkombëtar si një arritje historike që ka për të përshpejtuar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!