Ish-presidenti amerikan Barak Obama është rikthyer në skenën politike me një mesazh, përmes të cilit ka akuzuar partinë republikanë për terror politik. Obama e ka cilësuar të turpshëm përdorimin e karvanit të emigrantëve për qëllime politike dhe u ka bërë thirrje amerikanëve të dalin në zgjedhjet e nëntorit, pasi Amerika ndodhet në udhëkryq.
Përdorimi i rastit të karvanit të emigrantëve nga republikanët në fushatë elektorale është vetëm një “politikë terrori”. Me këto fjalë ish-presidenti Barack Obama ka kritikuar ashpër partinë në pushtet, e cila sipas tij po shpik lloj lloj historish për të ruajtur dominimin politik kur po afrojnë zgjedhjet për Kongresin. “Republikanët po përpiqen të na bindin të kemi frikë nga një grup refugjatësh të varfër e të paushqyer, që ndodhen ende mijëra kilometra larg nesh”, ka thënë Obama. Për ish-presidentin, rasti i karvanit është shembulli tipik i rrëfimit të gënjeshtrave nga republikanët. “Janë politikanë që hapur, vazhdimisht dhe pa turp thonë gënjeshtra dhe shpikin histori”, ka deklaruar Obama.
Administrata amerikane ka paralajmëruar se do të dërgojë rreth 800 trupa në kufirin me Meksikën për të ndaluar karvanin. “Do të dërgoj ushtrinë për t’i dhënë zgjidhje kësaj emergjence kombëtare. Ata nuk do të hyjnë këtu”, deklaroi ditët e fundit presidenti Donald Trump. Kur mungojnë 10 ditë nga zgjedhjet afatmesme për Kongresin, kritikët deklarojnë se Trump ka përdorur kërcënimin me emigrantët ilegalë për të ngritur mbështetësit e tij. Sidoqoftë, karvani i nisur nga Hondurasi disa javë më parë ndodhet ende mbi 1 mijë milje larg kufirit SHBA-Meksikë. Ndërkohë, autoritetet meksikane u kanë ofruar emigrantëve që regjistrohen për azil leje të përkohshme pune, edhe pse karvani po vazhdon rrugën drejt Amerikës së veriut./abcnews.al