Shqipëria ka anuluar vendimin për bllokimin e importit të pulave nga Greqia. Katër ditë më parë ministria shqiptare e Bujqësisë vendosi që për shkak të gripit të shpendëve të ndalonte importin e pulave nga Greqia Veriore, por sot urdhri është revokuar, sipas mediave greke.
Por përse u revokua?
Mediat greke shkruajnë se zëvendës ministrja e Ushqimit, Fotini Arabatzi pasi vendosi në dijeni institucionet më të larta në Greqi, i dërgoi një letër ministres së Shqipërisë Milva Ikonomi duke i bërë thirrje që të anulonte vendimin pasi sipas saj “nuk justifikohet nga situata aktuale epidemiologjike e sëmundjes në Greqi, pasi ka të bëjë vetëm me një rast të gripit të shpendëve të gjetur në një zog të egër“.
Po sipas deklaratës së Greqisë “shtetet nuk mund të vendosin masa të ndalimit të tregtisë në përgjigje të zbulimit të një rasti te një zog i egër, siç është ai i gjetur në Greqi më 20.04.2021″, tha Arabatzi. Sipas grekëve, reagimi i Shqipërisë ishte heqja e masave të bllokimit.
Në 8 qershor ministria shqiptare e Bujqësisë njoftoi se në vendin tonë janë zbuluar tre vatra të gripit të shpendëve, respektivisht në Fushë- Krujë, Dajt dhe Bujan. d.b/Abcnews.al