Mbetjet e Durrësit kushtojnë më shumë se ato të Tiranës

schedule16:59 - 11 Qershor, 2021

schedule 16:59 - 11 Qershor, 2021

U deshën 3 ditë që plehrat e Durrësit t’u largoheshin qytetarëve. Pas shqetësimeve të ngritura, duket se bashkia dhe qeveria kanë gjetur zgjidhjen, që duket se do të rëndojë më shumë në xhepat e taksapaguesve. Është rënë dakord me qeverinë qendrore që transporti në landifllin e Sharrës të merret përsipër nga bashkia ndërsa përpunimi në landfill të paguhet nga qeveria. Kjo kontratë do të jetë e vlefshme për 14 vjet dhe nis që nga ky vit.

Kompania “Integrated Energy” që vepron në Sharrë do të dalë më e fituara nga kjo kontratë. E ndërsa për mbetjet e Tiranës ajo merr 29 euro për ton, për plehrat e Durrësit do të marri 40 euro për ton dhe pse do të kryejë të njëjtin proces. Sipas shifrave aktuale të bashkisë, në qytetin e Durrësit mblidhen 150 tonë mbeturina në vit.

Problemi i plehrave në Durrës ekziston prej dy vitesh, gjithmonë i janë gjetur zgjidhje të përkohshme.

Fillimisht qeveria vendosi që në “Porto Romano” të ndërtohej një park industrial. Për mbetjet e qytetit nuk pati një vendim. Kjo solli që plehrat të pushtonin kazanët në cdo vend të Durrësit. Më pas u vendos që mbeturinat të dërgoheshin në Manëz. Pas disa javësh, banorët u ngritën në protestë për ndotjen që shkaktohej nga djegia pa kriter e mbeturinave.

Pas protestave të vazhdueshme, u ra dakord që mbetjet t’i dërgoheshin Sharrës. Para disa ditësh ky landfill nuk lejoi më kamionët e plehrave pasi nuk ishte kryer pagesa.  E gjendur përballë kësaj situate, ndërhyri qeveria që mori përsipër pagesën nga paratë e buxhetit të shtetit./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!