Këtë herë në studion e “Provokacijas” nuk ishte një intelektual, personalitet politik apo i kësaj kategorie. Pjesë e emisionit të Mustafa Nano u bë një mik special. Ai është Juel Kaloti. Jueli është 15 vjeç dhe është nxënës në vitin e parë në gjimnaz. Si çdo moshatar, ai ka shumë pasione. Mbi të gjitha i pëlqen futbolli.
“Mendoj që Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë gjatë këtij 10-vjeçari për shkak se të jesh futbollisht duhet të bësh një punë të madhe. Dhe gjithashtu që të arrish suksese duhet të punosh fort. Mendoj edhe ai që do bëhet më i miri do jetë Kylian Mbappe”, tregoi Jueli.
Ndryshe nga të rinjtë e sotëm, Jueli nuk ka celular.
“Unë e kam të ndaluar këtë pjesë nga prindërit e mi për arsye se është viti i parë dhe synoj të jap më shumë nga vetja ime sepse siç thonë këtë vit ti mund të marrësh njohuritë bazë dhe këto njohuri do i vendosësh në zbatim vitin e dytë dhe të tretë”, tha 15-vjeçari.
Jueli tregoi edhe se çfarë pëlqejnë moshatarët e tij, por gjithashtu tregoi atë që i druhet më shumë.
“Shoqëria në përgjithësi. Sepse ne kemi dy lloje shokësh. Kemi shokë që mund t’i telefonosh në çdo orë të natës dhe janë të gatshëm dhe kemi shokë që janë thjesht të njohur për ty sepse nuk janë njerëz që të nderojnë apo mund të të respektojnë”.
Përsa i përket bullizmit Joeli tha se “ky fenomen ndodh për shkak se një djalë do t’i bëjë përshtypje një vajze”.
Ndryshe nga çdo herë, puntatën e sotme në “Provokacija” u rrëfye jeta e një adoleshenti në kryeqytet, i cili ëndërron të bëhet inxhinier elektronike dhe të punojë në kompanitë më të mëdha teknologjike ndryshe nga të tjerët./abcnews.al