Dortmundi habit Europën me fitoren me Atletikon

schedule15:05 - 25 Tetor, 2018

schedule 15:05 - 25 Tetor, 2018

Dortmundi mund të quhet një pretendent i ri në Ligën e Kampionëve. Skuadra gjermane mundi 4-0 Atletikon e Madridit, por trajneri Favre deklaroi se lojtarët e tij të rinj kanë nevojë për kohë.

Fitorja ndoshta ishte e tepruar, por po e tillë habia që shkaktoi ky ekip.

Borusia e Dortmundit bëri që Europës t’i kujtohej skuadra fluturuese e ish-trajnerit Jurgen Klop, kaq ndeshje të madhe luajti ndaj Atletikos së Madridit.

Ndoshta është e parakohëshme të thuhet se Championsi ka tani një pretendent të ri për titull, por askush nuk mund t’i heqë meritat një formacioni që mundi 4-0 Atletikon e Madridit.

Admirimi i publikut europian bëhet edhe më i madh, duke menduar moshën e re të Dortmundit, dhe përvojën e paktë në Champions.

Lojtarë si Ashraf, Vicel, Diallo, Gerrero, Dahud apo Sanço ishin një kënaqësi për t’u parë, duke luftuar në sulm e në mbrojtje.

Shkëlqimi në Champions ishte thjesht konfirmimi për një ekip që kryeson edhe Bundesligën, pavarësisht se ka si rival Bajernin.

Gjithsesi, trajneri Lysien Favre, arkitekti i Dortmundit të ri, përpiqet të ftohë entuziazmin

Favre: “Rezultati 4-0 është i tepruar. Atletiko pati raste për gol dhe duhet të bëjmë analizën tonë. E nisëm ndeshjen keq, por për fat kaluam në avantazh, ndërsa pas pushimit Atletiko na vuri në vështirësi. Luajtëm mirë, por edhe patëm fat. Tani nuk duhet të ëndërrojmë pasi lojtarët e mi të rinj kanë nevojë për kohë. Kryesorja është që ata e duan futbollin”.

Për kolegun e tij, Diego Pablo Simeonen, kjo ishte humbja më e rëndë në Europë që kur nisi karrierën tek Atletikos.

Argjentinasi nuk ngurroi të lavdëronte kundërshtarin, por shtoi edhe diçka tjetër.

Simeone: “Përgëzime rivalit për ndeshjen që zhvilloi. U dashurova me lojën e Dortmundit, që ishte vërtet shumë e bukur. Luajti fort, në mënyrë praktike, kundërsulmoi bukur dhe përfitoi nga gabimet tona. Ne patëm rastet tona, por nuk ishim të saktë, ndërsa ata po. Le të shpresojmë që edhe ne të luajmë kështu”.

Dortmundi kryeson grupin në Champions me 9 pikë të plota, por edhe Atletiko është në pozita shumë të mira, pasi ka 6 pikë, pesë më shumë sesa ndjekësit Monako e Bryzh. /abcnews.al