Thomas Brdaric, gjermani që drejtoi Vllazninë drejt fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe e mbyll kampionatin në vend të dytë me pikë të barabarta me Teutën kampione, po bisedon për rionovimin e kontratës.
Mbrëmjen e sotme, së bashku me menaxherin e tij, Uliks Kotrri, Brdaric ka biseduar me sponsorin Alban Xhaferi dhe palët janë drejt akordit. Gjithsesi ka disa çështje që duhen zgjidhur dhe që lidhen më së shumti me kushtet.
Fusha stërvitore ka qenë një nga problemet e mëdha të sezonit të shkuar, sikurse edhe çështja e pagesave prej burokracisë së kalimit të fondeve. Brdaric kërkon siguri që gjërat do të ndryshojnë.
Pas takimit, ai edhe ka folur për mediat. Gazetari i ABC, Simon Shkreli, sjell edhe deklaratën e teknikut gjerman: “Do takohemi nesër në mëngjes dhe do të vendosim. Ishte një takim pozitiv. Duket situatë e mirë, por duhet të flemë dhe më pas të vendosim.
Kemi një ose dy pika për të folur, jemi shumë afër. Në përgjithësi ishte një takim pozitiv. Duhet të jemi në situatë ku të jemi më profesionistë.
Nuk është çështje parash. Duhet të përgatisim ekipin në mënyrë profesionale, për kupat e Europës. Nuk mund të punojmë si vitin e shkuar”. v.p / abcnews.al