Janë rreth 50 mijë ushtarët që vijnë nga 31 vende të ndryshme, të cilët marrin pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake në Norvegji. Stërvitja është cilësuar si më e madhja e NATO-s që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Pesë vendet kryesore që marrin pjesë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Suedia.
Aleanca atlantike po tregon muskujt në atë që cilësohet si stërvitja më e madhe ushtarake që nga viti 2002. Vendi i zgjedhur është Artiku, rajon shumë i rëndësishëm strategjik për mbrojtjen e Europës nga sulme të mundshme, por dhe në qendër të një debati mes fuqive kryesore globale. Mediat italiane shkruajnë se armiku jo imagjinar i kësaj force është ushtria ruse dhe manovrat janë një përgjigje ndaj shfaqjeve të ndryshme të forcës nga ana e Moskës
Stërvitja që nis në 25 tetor do të zgjasë deri në 7 nëntor.
Me emrin “Trident Juncture” stërvitja do të zhvillohet kryesisht në jug lindje dhe në pjesën qendrore të Norvegjisë, duke përfshirë rreth 50 mijë ushtarë, më shumë se 60 aije ushtarake, 150 avionë dhe 10 mijë automjete. Që nga viti 1989 nuk ishte vënë në gatishmëri një forcë kaq e madhe detare, dhe pjesëmarrja e saj u mbajt sekret deri në momentin e fundit. Të gjithë 29 vendet e Aleancës do të dërgojnë kontigjente ushtarake, ndërsa Suedia dhe Finlanda do të bashkëpunojnë si partnerë të jashtëm.
Objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje ëshët matja e aftësive të reagimeve të shpejta të cilat janë përforcuar që nga kriza në Krime në vitin 2014. Në rast kërcënimi këto forca do të dërgoheshin maksimumi brenda pesë ditësh në qendër të konfliktit. Vendet kryesore që e mundësojnë këtë reagim të shpejtë janë Vendet Baltike, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia ku struktura dhe ekuipazhe janë vendosur prej kohësh në gatishmëri. /abcnews.al