Kurti: Viktimat e luftës meritojnë drejtësi

schedule13:17 - 7 Qershor, 2021

schedule 13:17 - 7 Qershor, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  këtë të hënë ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Para të pranishmëve, Kurti tha se nuk e kemi luksin që kësaj radhe të gabojmë.

“Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe, nuk kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë me eksperimentet tona, për këtë arsye është thelbësore që të bashkojmë forcat dhe të përkrahim njeri-tjetrin, të gjithë. Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët dhe ka të bëjë me institucionalizimin dhe me mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive”, u shpreh Kurti.

Kryeministri theksoi se paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dokumentimi luan rol kyç në krijimin e shoqërive të hapura dhe të drejta.

“Dokumentimi i krimeve të luftës ka ndihmuar në krijimin e kujtesës kolektive, në ndjekjen penale të autorëve të krimit, në identifikimin e viktimave…Këto janë masa praktike me të cilat trajtohet e kaluara”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja ka thënë iniciativa të tilla luajnë rol vendimtar për drejtësi.

Haxhiu shtoi se Kuvendi ka miratuar Amendamentin që ka për qëllim heqjen e pengesave për Prokurorinë Speciale që t’i adresojë krimet e luftës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!