Fundjava dhe festivali i muzikës elektronike UNUM kanë bllokuar tërësisht Shëngjinin. Trafiku është rënduar për shkak të mjeteve të shumta që po lëvizin drejt Ranës së Hedhun, ndaj edhe policia ka lejuar që të udhëtojnë drejt kësaj zone turistike vetëm mjetet e transportit publik.
Janë mijëra personat që po lëvizin përgjatë 24 orëve duke bëre që qyteti i Shëngjinit të mos pushojë përgjatë katër ditëve të festivalit ku për të ndjekur DJ nga e gjithë bota kanë mbërritur një numër shumë i madh turistësh dhe vizitorësh.
Siç raporton edhe gazetari Gjergj Figuri, organizimi i këtij festivali ka qenë një sfidë për rregullat anti-covid, kjo pasi pjesëmarrja ka qenë tejet e lartë. Megjithatë, sipas organizatorëve, për pjesëmarrësit është kërkuar test negativ për Covid-19, i kryer në 48 orët e fundit.
Ata thonë se gjithçka është nën monitorim dhe se po u mbahen rregullave të vendosura. Edhe në edicionin e parë ky festival ka pasur një numër të madh pjesëmarrësish. /abcnews.al/