“Nuk donim ta shisnim Interin”, Zhang: Conte i shihte gjërat ndryshe, e dija se ishte i duhuri

schedule11:57 - 6 Qershor, 2021

schedule 11:57 - 6 Qershor, 2021

Steven Zhang, presidenti i Interit, ka dhënë një intervistë të gjatë për La Gazzetta dello Sport. Ai ka folur në tërësi për klubin zikaltër, duke sqaruar çështjen e shitjes hipotetike të kampionëve të Italisë dhe mospërputhjen e ideve me Conten, që çuan në largimin e trajnerit.

“Shitja e Interit? Nuk është e vërtetë. Nuk ka ardhur asnjë ofertë në drejtimin tonë dhe ne gjithashtu kemi kërkuar zgjidhje të tjera për të përmirësuar financat. Në këtë periudhë pandemie është e vështirë të gjesh fonde investuese në një industri si futbolli, që po pëson humbje çdo vit.

Tani qëllimi ynë është të gjejmë ekuilibër financiar, përndryshe investitorët e rinj s’do vijnë asnjëherë. Që në momentin e parë kur blemë Interin menduam se Conte do ishte trajneri i duhur për projektin tonë. Dy vite më parë më në fund arritëm ta sillnim.

 

Isha dhe mbetem i bindur se Conte është trajner fitues dhe kjo na shtyu të investojmë kaq shumë te ai dhe në klub në vitet e fundit. Verën e shkuar pandemia na goditi shumë financiarisht, por ne vazhduam me të, duke besuar te triumfi dhe më në fund ja dolëm. Morëm vendim të drejtë.

Por fatura e pandemisë ta bën të pamundur të mos kursesh në buxhetin e klubit. Duhet të ulim kostot me patjetër dhe të kontrollojmë rreziqet. Kjo padyshim ndikon edhe në strategjitë e merkatos. Pikëpamjet tona të ndryshme mbi situatën çuan në ndarje. Conte është trajner i madh, por si president i klubit duhet të mendoj për financat”, u shpreh Zhang. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!