Thomas Tuchel rinovoi sot kontratën me Chelsea edhe për dy sezone të tjera. Trajneri gjerman do të qëndrojë në stolin e ekipit londinez deri në verën e vitit 2024.
Vlerësim për punën e jashtëzakonshme që u kurorëzua me fitimin e Champions League nga Chelsea. Tuchel nuk e fsheh kënaqësinë për zgjatjen e kontratës dhe fokusohet tek e ardhmja.
“Nuk mund të imagjinoja një mundësi më të mirë për të rinovuar kontratën me Chelsea. Jam mirënjohës ndaj drejtuesve të klubit dhe shumë i lumtur që mbetem pjesë e familjes së Chelsea.
Kemi shumë për të bërë në të ardhmen dhe mezi po presim të hedhim hapat e ardhshëm me ambicien për të bërë edhe më mirë“, deklaroi trajneri gjerman.
Një koment për rinovimin bëri edhe Maria Granovskaia, drejtoresha sportive e “Bluve të Londrës”. “Kur Thomas u bashkua me ne në janar, kishin mbetur shumë ndeshje për t’u luajtur në kampionat dhe Champions.
Ai u përshtat lehtësisht dhe u bë menjëherë pjesë integrale e familjes tonë. Ishte jetike ta mbyllnim kampionatin në katër pozicionet e para, teksa fitimi i Champions League nuk mund të na bënte më të lumtur se kaq“. /abcnews.al