Për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar u prezantua për publikun, koleksion unik librash antikuarë, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV-XIX të koleksionisitit Ylli Sula. Albanologu Xhevat Lloshi e cilëson një koleksion të veçantë, që kërkon gjithnjë e më shumë njohës të gjuhëve të vjetra si latinishtja e vjetër e më gjerë.
Ylli Sula, koleksionist: “Pata dy dhurata dhe dy libra të tjerë që i bleva në interes dhe nga kurioziteti, të cilët ishin edhe të vjetër, por edhe që flisnin për Shqipërinë. Në atë moment ky interes u rrit dhe iu bashkangjit një kuriozitet i fortë për të kuptuar jashtë dëshirës dhe dashurisë për librin dhe leximin për këtë racën, për këtë gjindjen, për këtë qënien tonë shqiptare edhe për të kuptuar më mirë pse veprojmë kështu siç veprojmë dhe përse jemi këtu ku jemi sot.”
Koleksionisti Ylli Sula prej 25 vitesh është shndërruar në gjuhëtarë të veprave antikuare që lidhen me Shqipërinë në mbi 13 vende të botës. Aktualisht ai posedon një koleksion të pasur prej 1200 veprash, 300 prej të cilave i ka prezantuar në ekspozitën “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënderbeu tek Pavarësia”.
“Temat e mëdha që precipitojnë janë “Skënderbeu”, “Zoja e Këshillit të mirë”, “Kardinali Albania dhe Papa Albani” papa shqiptar me shumë influencë në historinë e papëve të Romës; “Gjuha Shqipe”, astaj janë udhëtarët e huaj për Shqipërinë që është një kolanë shumë e gjërë të lidhur në një pjesë të kësaj kolane me Ali Pashën dhe vijmë më tutje tek periudha e pavarësisë dhe periudha e fillimshekullit të XX për pjesën e luftës Ballkanike, ndarjen e territoreve, pavarësimi i vendeve, fundi i perandorisë Osmane.”
Sula thotë se koleksioni është i ndërtuar në disa shtylla kryesore. Libri më i hershëm i përket vitit 1493, për të përvijuar në disa vepra të rëndësishme origjinale, disa vepra që lidhen me “Zojën e Shkodrës” apo vepra e Frang Bardhit.
“Janë libra të cilët janë inkunabula. Unë kam dy të tillë dhe njëri prej tyre është një inkunabël që është një botim kozmografik i vitit 1493, më i vjetri që kam si dokument, flet për Shqipërinë dhe referenca është përsëri në fund të saj Skënderbeu. Psh Dhimitër Frangu origjinal që është akoma më i rrallë së sa Baleti për tu gjetur.”
Albanologu Xhevat Lloshi thotë se ky koleksion i pasur është mjaft i vlefshëm për kulturën shqiptare, por sipas gjuhëtarit ky koleksion duhet të nxisë institucionet shtetërore për të krijuar përkthyes të gjuhëve të vjetra.
Xhevat Lloshi, gjuhëtar: “Koleksioni është bërë shumë mirë që i është paraqitur për herë të parë publikut, por duhet ta dini që është shumë më i gjërë se kaq. Në e kam vizituar atë, e kam parë atë dhe sigurisht që e pranoj se jam befasuar sepse unë kam qenë në shumë vende të botës dhe në Shqipëri nëpër biblioteka dhe kishte gjëra që nuk do ti mendoja kurrë se do ti shikoja në Shqipëri konkretisht. Duke filluar me ato libra që i quanin kunabula, do me thënë librat e parë që u botuan nga shtypshkronja e Gutenbergut. Pyetja e parë e njerëzve është: Si janë mbledhur këto? Ky koleksion iu bën thirrje instuticioneve të rëndësishme akademikëve, universiteteve etj që të kemi kujdes, të kemi nevojë të përgatisim specialistë të cilët mbajnë lart emrin e kulturës shqiptare në histori.”
Ky koleksioni unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra përfshin shekujt XV – XIX, gjithçka është shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Publiku do mund ta shikojë nga afër për disa ditë për Muzeun Hostorik Kombëtar./abcnews.al