Në seancën e sotme plenare në Kuvend është prezantuar raporti vjetor i ILD-së për vitin 2020.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, në fjalën e tij tha se gjatë vitit 2020 në ILD janë përcjellë mbi 3 mijë dosje.
Ai gjithashtu theksoi se gjatë këtij viti është bërë një punë voluminoze, ndërsa shtoi se ka një fluks të lartë të dosjeve të trashëguara.
Synimi i ILD-së u shpreh më tej Metani është ndryshimi i konceptit të inspektimit.
“Gjatë 2020 ILD ka miratuar 8 vendime për fillim hetimi disiplinor. Përmbushja e objektivave që i kemi vënë vetes kërkon më shumë kohë. Do doja të falënderoja kuvendin për mbështetjen ndaj ILD.. 5 vjet pas miratimit të reformës është koha që qytetarët të shohin rezultate”, tha Metani ndërsa shtoi: “Kam dhënë urdhër për të gjithë kërkesat që trajtojmë që të bëjmë prioritet për ankesat e vjetra. Qytetarët ankohen për zvarritjen e gjyqeve dhe procesecve ghjuyqësore por edhe me zgjidhjen e çështjes që nuk është kompetenca jonë”.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani:
Është kënaqësi të paraqes para jush raportin e parë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të vitit 2020, që përfshin 11 muajt e parë të punës. Do përpiqem të jem konciz për t’ju kursyer kohë, në kushtet kur raportin e plotë e dispononi të gjithë.
Inspektimi i punës së çdo magjistrati në Republikën e Shqipërisë, një praktikë që ka ekzistuar e ndarë në institucione të veçanta, ka marrë një dimension të ri, përmes një institucioni të pavarur me Kushtetutë, siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ngritur më 1 Shkurt 2020.
ILD shqyrton, verifikon, heton dhe procedon çdo gjyqtar e prokuror në Republikën e Shqipërisë, që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore. Sipas ligjit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vihet në lëvizje bazuar në ankimin me shkrim të çdo personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar, përfshi Ministrin e Drejtësisë; Prokurorin e Përgjithshëm; anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; kryetarët e gjykatave, drejtuesit e zyrave të prokurorive, si dhe me iniciativë të vetën.
Duke qenë një institucion krejt i ri, e kam konsideruar prej fillimit një sfidë personale e institucionale, ndërtimin dhe zbatimin e standardeve e parimeve më të mira, pa u ndikuar nga vullnetet a subjektivizmat e çastit, apo nxehtësia e debatit të momentit, por duke i parë çështjet në parim të tyre dhe në themel të ruajtjes së një balance të rëndësishme të tyre.
Fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi si një institucion që u ngrit nga e para, kemi pasur sfida nga më baziket, që nga pajisja me zyra e staf të përkohshëm, rregullimi i veprimtarisë ligjore, strukturore e fizike, hartimi e konceptimi i mënyrës së aplikimeve e rekrutimeve, tek plotësimi i organikës në mungesë ambientesh pune, e deri tek përballja, që në ditët e para, me një fluks dosjesh të trashëguara. Kushtëzimet që erdhën nga pandemia Covid-19, ishin një tjetër element i shtuar vështirësie, si për çdo institucion tjetër në fakt, por që konkretisht tek ILD, solli pezullimin e konkurseve e procesit të rekrutimeve.
Në vitin e parë të punës, ILD ka patur vetëm 1 inspektor magjistrat, të trashëguar nga ish KLD dhe me procesin e brendshëm të rekrutimeve jemi mbështetur tek ndihmës inspektorët. Organika parashikon 13 inspektorë magjistratë, që përzgjidhen nga KLGJ e KLP dhe 13 inspektorë jo magjistratë, një proces ende i papërmbyllur për arsye subjektive, që lidhen kryesisht me mungesë interesi pas thirrjeve për kandidim, që bëjnë sipas ligjit Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sa për statistikë, numri i dosjeve të përcjella në ILD nga institucione, si Këshilli i Lartë i Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm e Ministria e Drejtësisë, por edhe vetë ankesa të ardhura që prej ngritjes së Institucionit deri në dhjetor 2020, e kalon shifrën 3054. (2104 të transferuara dhe 950 të depozituara në ILD prej 1 shkurtit deri më 31 dhjetor 2020. Janë miratuar 184 vendime dhe trajtuar 1347 praktika)
Duke qenë një person që më pëlqen ta shoh gotën gjysmë plot, nuk do ndalem tek vështirësitë, por tek puna që kemi bërë, pavarësisht tyre.
Që në ditët e para të marrjes së detyrës, kam shpallur si prioritet të rëndësishëm, verifikimin e lirimit me kusht të personave të dënuar. Ishte një çështje që kishte ndjeshmëri dhe interes të lartë publik. Dua të ndaj me ju faktin se me vetëm 1 inspektore magjistrate në dispozicion, në 11 muajt punë në vitin 2020 është bërë një punë voluminoze. Duke pasur parasysh se çdo kërkesë që mbërrin në institucion, kalon në disa etapa me afate kohore pune, që janë “shqyrtimi”, “verifikimi”, “hetimi” e “procedimi disiplinor”, gjatë vitit 2020 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar 8 vendime për fillimin e hetimit disiplinor (2 prokurorë dhe 6 gjyqtarë).
5 prej tyre (një magjistrat-prokuror dhe 4 magjistratë-gjyqtarë) janë hetime të iniciuara kryesisht nga ILD dhe 3 të tjera (magjistratë-gjyqtarë), janë hetime të iniciuara nga rastet e paraqitura nga institucione. (2 MD, 1 KPK).
Pra në periudhën shkurt-dhjetor 2020 janë formuluar 4 kërkesa për fillimin e hetimit disiplinor, 3 pranë KLGJ e 1 pranë KLP. Gjatë kësaj periudhe raportimi, KLGJ pranoi kërkesën e ILD për shkarkimin e një magjistrati gjyqtar, ndërsa KLP rrëzoi kërkesën e ILD për masë ndaj një magjistrati prokuror, vendim të cilin ILD e ka ankimuar.
Ky është një bilanc, që e vlerësojmë të rëndësishëm për kushtet tona, si një rrugë e mirë e shtruar për të ardhmen.
Nga ana tjetër, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka një vëmendje të posacme për kërkesat që vijnë nga qytetarët. Që prej 1 shkurtit deri në 31 Dhjetor janë 756 ankesa nga qytetarët. Në kushtet e pandemisë dhe të qenit një institucion i ri e pa infrastrukturë, shifra tregon një interesim të konsiderueshëm. Pritshmëria e qytetarëve është e lartë dhe kjo na imponon seriozitet dhe angazhim maksimal.
Duke e lexuar këtë qasje të publikut, kemi krijuar lehtësi në paraqitjen e ankesave nga qytetarët. Ankesat mund të bëhen online përmes një formulari që gjendet në faqen e ILD-së, bashkë me udhëzuesin për plotësimin e tij, një proces që kursen kohë. Ankesa mund të bëhet edhe pranë institucionit të ILD-së, ku stafi i posacëm asiston çdo qytetar në procesin e plotësimit të formularit të ankesës dhe rruga e tretë është ajo me postë. Pra gjithçka, që qytetari të ketë aksesin e duhur, për çdo pretendim për të drejtën e cënuar.
Puna jonë do të vazhdojë me synime dhe qëllime të qarta, me efekt vendosjen e standardeve mbi mënyrën e verifikimit të ankesave, trajtimit të tyre në një kohë sa më të shpejtë dhe hetimin kryesisht të shkeljeve disiplinore, një proces që paraqet një rëndësi të veçantë, për efekt të rritjes së përgjegjshmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, rritjes së besimit të publikut tek organet e sistemit gjyqësor, rritjes së cilësisë së shërbimit gjyqësor dhe atij të prokurorisë, etj.
Për një orientim të qartë, ILD ka hartuar me konsultim të gjerë dhe miratuar tashmë “Strategjinë dhe planin e veprimit dy vjeçar” me objektiva strategjikë që lidhen me pavarësinë, eficencën e profesionalizmin e Zyrës së ILD-së; zhvillimin e procesit të verifikimit, hetimit disiplinor dhe inspektimit në përputhje me parimet e procedimit disiplinor dhe standartet ndërkombëtare; pjesëmarrje aktive në proceset e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional si dhe rritjen e transparencës dhe aksesit të publikut në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në vizionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, inspektimi nuk duhet parë si një çekan ndaj prokurorëve e gjyqtarëve. Padyshim, ata që kanë bërë shkelje duhet të kenë frikë sot e gjithë ditën, por e rëndësishme është gjetja e balancës së duhur mes interesit publik për të monitoruar e parë administrimin e drejtësisë nga gjyqtarët e prokurorët, me ndarjen e pushteteve, edhe me atë që është pavarësia e gjyqtarëve dhe e prokurorëve.
Jam i ndërgjegjshëm se përmbushja e objektivave që i kemi vënë vetes do kërkojë kohën e vet, e sidomos një bashkëpunim më të gjerë me institucione e mekanizma të ndryshëm kombëtarë e ndërkombëtarë. Nga shqyrtimi, tek verifikimi, më tej hetimi e deri tek procedimi disiplinor, synimi i zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbetet ndryshimi rrënjësor i konceptit të inspektimit, për të unifikuar standardet më të mira të drejtësisë për të gjithë.
Me kënaqësi kam konstatuar se kjo ide është bashkëndarë nga takimet e punës me institucionet e tjera të rëndësishme, si me KLGJ e KLP dhe PP. Eshtë një vizion, të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë do e ndajë edhe në inspektimet tematike, që zhvillohen në çdo gjykatë e prokurori në vend.
Në mbyllje, do doja të falënderoja kuvendin e posaçërisht Komisionin e Ligjeve për mbështetjen dhe inkurajimin ndaj ILD-së. Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i hapur për bashkëpunimin e kontributin e të gjithëve, për finalizimin e synimit të përbashkët, për të cilin u realizua një reformë madhore kaq e thellë: një drejtësi e barabartë për të gjithë.
5 vjet pas miratimit të reformës është koha që qytetarët të shohin rezultate, sepse forcimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor është jetik për të pasur një sistem funksional, të paanshëm, me integritet dhe me fokus qytetarin. Këto janë bazat e një shteti ligjor të fortë dhe demokratik, të cilin e duam të gjithë.
/abcnews.al/