Hakan Calhanoglu del lojtar i lirë më 30 qershor. Pas një kohe të gjatë kanë nisur neogociatat e rinovimit mes drejtuesve të Milanit dhe agjentit të lojtarit ofensiv. Largimi i fantazistit turk dukej i sigurt, por Sky Sport raporton se janë shtuar shanset e qëndrimit tek ekipi i Piolit.
Sigurisht që diferenca ekonomike mes asaj që ofron Milani dhe kërkesave të Calhanoglu nuk është e vogël, por në Milanello ekziston optimizmi në lidhje me zgjatjen e bashkëpunimit mes palëve.
Juventusi është një nga klubet e interesuara për 27-vjeçarin, por largimi i Paraticit, i cili ishte admiruesi kryesor i Calhanoglu, është shoqëruar me një indiferencë nga ana e bardhezinjve.
Lojtari ka marrë një ofertë të majme nga Katari. Al Duhail i ofron 32 milion euro për tre vitet e ardhshme, por Calhanoglu dëshiron të mos largohet nga futbolli evropian.
Milani nuk dëshiron të humbasë falas një tjetër titullar pas Gigio Donnarumma dhe dyshja Maldini-Massara shpresojnë të gjejnë sa më shpejt akordin final me menaxherin e mesfushorit ofensiv. /abcnews.al