Emisioni VETTING
“Pallati i madh i Kulturës”, mban titullin dosja e Sigurimit të shtetit për artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit. Dosja mban numrin 126 dhe aty renditen informacione për bashkëpunëtorët brenda këtij pallati. Si e survejuan ata Vaçe Zelën, Çesk Zadenë, Krajkën e Gurakuqin. Si u hap Dosja 2b për “babain” e muzikës shqiptare dhe ku fshihej zyra prej nga survejohej e dëmtohej Krajka. Përballja e çiftit Krajka në Presidencë me Fadil Paçramin, çfarë do t’u thoshte ai artistëve. “Vetting” zbulon përplasjet e Vaçe Zelës me operativët e Sigurimit në udhëtimet e Ansamblit Kombëtar jashtë Shqipërisë si dhe presioni që u bëhej nga agjentët e Sigurimit të Shtetit artistëve të mëdhenj.
………………………………………
Nga brezi i parë i artistëve, në dosjen nr.126 të ish-Sigurimit të Shtetit “Pallati i Madh i Kulturës”, bashkë me emra si Çesk Zadeja i survejuar ka qenë edhe Luigj Gurakuqi. Një regjisor “par exellonce” që do ta niste karrierën në korin e shtetit, e më tej nga Ansambli i Ushtrisë do të studionte në Moskë për regji opere.
Që në shfaqjen e parë “Peshkatarët e perlave” me të cilën mbrojti diplomën ai do të tërhiqte vëmendjen për profesionalitetin duke u ftuar të punonte në Teatrin e Operas, për të vënë në skenë opera të tjera si “Rigoleto”, Bohema”, “Skënderbeu” etj. Por krahas suksesit, siç rrëfen i biri, regjisori Nikolin Gurakuqi do të lindte edhe smira mes artistëve.
Luigj Gurakuqi ishte një nga themeluesit e festivalit të këngës dhe prezantues i edicionit të parë me në krah aktoren Margarita Xhepa. Pedagog, si dhe përkthyes e autor i disa libreteve. Autor i disa këngëve, mes cilave kënga hymn “Valsi i Lumturisë”. Në këtë panoramikë kaq të pasur artistike, sulmet, siç tregon i biri, do të nisnin që me inaugurimin e Pallatit të Kulturës, kur në skenë do të vinte operan “Mrika”.
Por, ndonëse për të agjentët bashkëpunëtorë të Teatrit të Operas nuk kanë mundur të hedhin në grep asnjë informacion që mund të përdorej kundër tij, Dosja e “Pallatit të Madh të Kulturës, shpjegon në pak rreshta se ku ishte i cenueshëm Luigj Gurakuqi.
Daja i tij Gjon Temali ishte një nga 22 intelektualët e pushkatuar pas shpërthimit të Bombës në Ambasadën sovjetike në vitin 1951, dhe kjo ngjarje Gurakuqit do ti përmendej në çdo rast suksesi.
Pas rënies së diktaturës, që do të përkonte me mbylljen e dosjes nr.126, regjisori Luigj Gurakuqi, besoi se do të hapej një dritare për një frymë demokratike dhe rishikim të kalvarit diktatorial, por siç tregon i bir, ndodhi ndryshe.
Luigj Gurakuqi, në këtë valë tranzicioni nis të shkruajë refleksionet e tij për institucionin ku punoi, në ciklin e shkrimeve “Dritë dhe hije”, por ndonëse diktatura ish rrëzuar, mentaliteti i censurës rezistonte monumental./ Abcnews.al