Emisioni VETTING
Nuk mund të ishte koiçidencë hapja e Dosjes së Pallatit të Madh nga Sigurimi i Shtetit, pas ngjarjeve të bujshme të plenumit të IV, që pasoi Festivalin e 11-të. Madje, siç rrëfen pianistja Semiramis Krajka as vetë ndodhitë e Festivalit nuk ishin të rastësishme.
Bashkëshorti i saj, kompozitori Agim Krajka, do të merrte pjesë në atë ngjarje artistike me këngën “Kafe Flora” të kënduar nga Lindita Theodhori. Pianistja në një intervistë për “Vetting” kthehet pas në kohë për të përshkruar atmosferën që ndihej në atë javë në Shqipëri, kur të gjithë ishin të dyjëzuar mes etjes për liri e ndrojtjes se pas kësaj qasje të ngrohtë me frymën moderniste diçka ziente.
Siç tregon, kompozitori i rinisë Agim Krajka, duke parë barrierat që i ishin vënë me kengë si “Lemza” “Djaloshi dhe shiu” etj., e kishte pergatitur mbrojtjen në rast kritikash gjatë netëve finale. Tabani popullor, ku edhe kësaj here ishte frymëzuar për “Kafe Florën” ishte mburoja e tij. Mirëpo, për një çast kur mes duartrokitjeve të tejzgjatura të publikut, e marin mënjanë për t’i njoftuar se kënga e tij do të merrte çmim të parë , mendon se ndoshta s’do të ketë nevojë për këto shpjegime. Në fakt do të ndodhte ndryshe. Kënga do të zhvendosej në vend të dytë e survejimi e masat ndaj Krajkës do të shtoheshin.
Çka pasoi festivalin me dënimet e kobshme që prekën personalitete të artit, si Ali Oseku, Maks Velo, Xhevahir Spahiu etj., duke i akuzuar se “kishin bërë përpjekje për t’i hapur rrugën liberalizmit”, do të reflektohej edhe në dosjen nr.126 dhe në jetën e të survejuarve.
Puna e madhe që Krajka kishte bërë në Ansamblin Popullor, dashamirësia që publiku, përfshirë fëmijët e udhëheqësve kishin për krijimtarinë e tij do të bënin që kompozitori t’i shpëtonte së paku burgut. Ndërkaq për të do të nisnin edhe privimet, apo vecimet në aktivitete të përbashkëta me artistë të tjerë si daljet jashtë shtetit, për të çilat çifti Krajka do të mësonte rastësisht se me urdhër të kujt dhe pse bëheshin./ Abcnews.al