Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela është paraqitur sot me një raport voluminoz një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm, ka ardhur në kuadër për gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2020 në vendin tonë. Kryeprokurori përveçse ka bërë një panoramë të situatës së kriminalitetit në vendin tonë për 1 vit, u është përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, ishte mjaft i vështirë për shkak të pandemisë, e cila krijoi probleme edhe në funksionimin e sistemit të prokurorisë, me ndikim në uljen e performancës efektive të prokurorive.
Sipas Raportit të prezantuar nga Çela, gjatë vitit 2020, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi, që përbën një ulje prej 2,37 % në krahasim me vitin 2019. Ndërkohë për vitin 2020 janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,23 % në krahasim me vitin 2019.
Janë mbartur në vitin 2020, 16304 procedime penale me një rritje prej 25,83 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2019. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 13632 referime dhe kallëzime penale, me një rritje prej 12,61 % në krahasim me vitin 2019.
Edhe në vitin 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,74 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifrat më të larta janë: -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka regjistruar 9 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar 7,69 % të numrit total të procedimeve të regjistruara.
Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2020 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2020 e ka qarku Gjirokastër me 14,03 %, ndërsa qarqet Kukës e Dibër kanë koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rezulton me rritje në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë.
Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2020, rezulton se 78,24 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21,76 % i përkasin kundërvajtjeve penale. Krahasuar me vitin 2019, 4,76 % e këtij raporti ka ulje në procedimet për krime dhe rritje në procedimet për kundërvajtje penale. /abcnews.al/