ILD ka ngritur tashmë grupin e punës që do të kryerjë hetimin disiplinor ndaj kryegjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani, pas videove të papërshtatshme të publikuara në rrjetet sociale.
Abcnews.al mëson se grupi ështe duke mbledhur të dhëna në lidhje me videot e çuditshme të publikuara nga Kapedani në zyrën e saj ku duket se bën sfilatë mode, ndërsa jep mesazhe të papërshtatshme me detyrën.
Kapedani u emërua në krye të gjykatës së Elbasanit vitin e shkuar, ndërsa është betuar si gjyqtare në vitin 2015 para Bujar Nishanit.
Në dy reagime të bëra gjatë ditës së sotme ajo shprehet se nuk ka një llogari në “Tik Tok” dhe se videot e saj janë keqpërdorur. Në një tjetër reagim të mëvonshëm ajo shprehet se është duke u sulmuar për shkak të gjinisë.
Çfarë ndodhi?
Fillimisht në rrjetet sociale, nga një llogari në “TikTok” që mban emrin e saj dhe më pas në mediat online u publikuan video të papërshtatshme me detyrën e gjyqtares që mban Enkeleda Kepadani. Kjo e fundit mohoi që pamjet të ishin publikuar prej llogarisë së saj, megjithatë duket se ajo bën sfilatë mode në korridoret e gjykatës së një qyteti që vuan nga një kriminalitet i lartë. Gjatë videove, gjyqtarja duket se i ka pëlqyer edhe kënga “Mafia” e Don Xhonit, i cili në tekst flet për një grup mafioz, i cili është rrethi i tij shoqëror ku nuk pyet për ligj, polici apo gjykata.
Kodi etik
KLGJ miratoi një muaj më parë Kodin Etik të gjyqtarëve duke kërkuar prej tyre që të sillën sipas pritshmërive që ka publiku ndaj anëtarëve ët Sistemit të Drejtësisë , aq më tepër në një situatë ku jemi ende duke bërë operacionin e madh të Reformës në Drejtësi.
Referuar këtij Kodi, Kapedani duket se ka shkelur pjesën ku flitet për “Sjelljen e hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, e cila stimulon gjyqtarët që përmes figurës së tyre të rrisin besimin e qytetarëve te drejtësia.
Në njerën prej këtyre pikave thuhet se gjyqtari nuk mund ta përdorë zyrën për qëllime të tjera përveç detyrës. /abcnews.al