Vihet në pranga ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me tjetërsim pronash në bregdetin e Lezhës. Hetimi për Ndokën kishte nisur rreth 6 muaj më parë.
Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, është arrestuar nga policia, në zbatim të një urdhër arresti të lëshuar për të, pas caktimit në mungesë të masës së sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 46-vjeçari Arben Ndoka dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Policia sqaron në njoftim se hetimi për të ka nisur disa muaj më parë, ndërsa mësohet se gjatë këtyre muajve është mbajtur në përgjim.
Pikërisht në Mars 2018, Policia e Lezhës goditi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetarin e Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 persona u shpallën në kërkim.
Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar rreth 235 mije m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.
Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark. Mësohet se bashkë me ish-deputetin Arben Ndoka janë vënë në pranga edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i tij./abcnews.al

