Tomori arriti të dalë deri në finalen e Play Out për ngjitjen në Kategorinë Superiore, por Kastrioti e ktheu prapa skuadrën beratase, duke e mundur me shifrat 2-1. Pas ndeshjes për mediet e pranishme në stadiumin e Kamzës foli trajneri i Tomorit, Bledar Sinella.
“Luajtëm si të barabartë dhe jam krenar shumë për djemtë sepse dhanë maksimumin. Pësuam gol në momentin më të mirë tonë. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, bëmë dhe një traversë mund të shënonim dhe ne. Në sekondën e fundit të pjesës së parë pësuam gol.
Goli i dytë ishte një dhuratë nga ana e jonë, ishte një gabim personal i lojtarit, kështu që ekipi kundërshtar realizoi golin e dytë. Normal që pastaj do të hapej loja, do të kërkonim të hidheshim në sulm për të kërkuar golin dhe do të rrezikoje më prapa, por edhe një herë tjetër e ritheksoj se kemi luajtur si të barabartë dhe jam shumë i lumtur për lojën e skuadrës.
Unë mendoj se ishte një sukses ardhja në “Play-Off” dhe mos të harrojmë që me gjithë historinë që vjen nga prapa është një skuadër që sezonin e kaluar kanë milituar në Kategorinë e Dytë dhe tani jemi në Kategorinë e Parë. Një skuadër që vjen nga Kategoria e Dytë arrin deri në “Play-Off’-in për Kategorinë Superiore besoj se është sukses.
Nëse vazhdojmë kështu, bashkëpunimi president-trajner-lojtarë në mënyrë që duhet të funksionojë në mënyrë perfektë mendoj që na jep garanci që vitin tjetër të luftojmë për Kategorinë Superiore. Kampionati nisi shumë vonë dhe u munduam të rikuperojmë në janar duke plotësuar boshllëqet që kishim në disa pozicione, dhe në janar zgjedhjet janë të limituara.
Ne ia arritëm qëllimit bëmë një fazë të dytë dhe të tretë perfektë dhe e kam theksuar dhe herë tjetër dhe po e theksoj dhe sot që jemi fituesit moral të grupit ku morëm pjesë”, u shpreh Sinella. /abcneës.al