Barcelona merr një goditje të madhe për vazhdimin e sezonit. Lionel Messi do të mungojë për tri javë, dhe nuk do të luajë ndaj Interit në Champions, dhe kundër Realit në kampionat.
Po kalonte momentin e tij më të mirë.
Lionel Messi ishte i vendosur të tregonte ndaj Sevilla-s se mosha 31-vjeçare nuk ishte aspak pengesë që ai të mbetej numri 1 në futbollin botëror, veçse ai nuk i kishte bërë mirë llogaritë. Në sport ka edhe një faktor tjetër që vendos, ai i dëmtimeve dhe kapiteni i Barcelonës u detyrua të dorëzohej pa kushte që në minutën e 17-të të ndeshjes në La Liga.
Një rrëzim i rrezikshëm, në një aksion normalisht të panevojshëm solli një shqetësim të madh për yllin dhe për katalanasit. Do të mungojë në disa prej ndeshjeve më të rëndësishme në vazhdim të sezonit.
Skuadra e trajnerit Valverde ia doli të arrinte fitoren ndaj Sevilla-s, me shifrat 4-2, duke u rikthyer në krye të renditjes së kampionatit edhe pse nuk e pati në fushë lojtarin e saj kryesor. Gjithsesi, momenti është tepër i keq.
Messi u dërgua me të shpejtë për në klinikën e klubit, në kompleksin stërvitor, dhe aty iu nënshtrua vizitës mjekësore të imtësishme. Rezultati është se ai do të mungojë për tri javë pas shkak të thyerjes në bërrylin e dorës.
Nuk do të jetë ndaj Interit në mesjavë në Champions, dhe në “El Clasicon” ndaj Realit në fundjavë në kampionat. Në total, mund të humbasë tri ndeshje në La Liga, dhe të dyja përballjet me Interin në Europë.
Trajneri Ernesto Valverde ishte i shqetësuar.
“Do të jetë mungesë e madhe për ne, padyshim që do të ndihet, – theksoi ai, – një lojtar si Mesi ndikon shumë në lojën e skuadrës, por besoj se i kemi lojtarët për ta zëvendësuar sa më denjësisht. Objektivat tona nuk ndryshojnë”.
“Lider i copëtuar”, komenton gazeta “El Mundo Deportivo” e Barcelonës.
“Kryesim me dhimbje”, është komenti i gazetës tjetër katalanase “Sport”.
Mediat spanjolle nënvizojnë një fakt interesant. Mesi humbet një “El Clasico” ndaj Realit, për herë të parë që nga viti 2007, pasi luajti pa ndërprerje për 11 vjet radhazi./abcnews.al