Me anë të një njoftimi për mediat, bashkia sqaron se për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve dhe nga monitorime të bëra nga inspektorët në terren, po bëhet riorganizm dhe ristrukturim i shërbimit të transportit
Gjatë kësaj periudhe, Bashkia e Tiranës njofton se do t’u kërkojë operatorëve të transportit publik qytetës rikthimin “në kushte të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës, duke respektuar kushtet teknike para pandemisë dhe duke ofruar shërbim të plotë me 100% të kapacitetit të mjeteve në operim.”
Siç u bë e ditur edhe dje, aboneja e përgjithshme e transportit publik do të hiqet nga qarkullimi vetëm për një periudhë të përkohshme 3 mujore, qershor, korrik, gusht. Shkak sipas bashkisë është përshtatja e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit, si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit.
Abonetë e përgjithshme do të hidhen sërish në shitje në muajin Shtator, kurse abonetë për linjat e veçanta do të jenë në shitje normalisht, edhe gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, e në vijim.
Riorganizimi dhe ristrukturimi i shërbimit të transportit publik në Tiranë është duke u bërë në bashkëpunim me GIZ. /abcnews.al/