Për të dytën herë në historinë e tyre, Chelsea shpallet kampione e Europës. Skuadra e Thomas Tuchel, i cili e kishte finalen e dytë radhazi, fitoi minimalisht me shifrat 0-1 ndaj Manchester Cityt falë një goli të Kai Havertz, blerjes më të shtrenjtë verës së shkuar (80 milionë euro). 21-vjeçari u bë gjermani i më i ri në histori, që shënon në një finale të Champions.
Pjesa e parë nisi dhe vazhdoi shumë aktive për të dy skuadrat dhe mesfusha “nuk ekzistonte”, pasi sfera transferohej menjëherë nga porta në portë. Chelsea ishte e vendosur më mirë në mbrojtje dhe Manchester City e rrezikoi pak portën e Mendy.
https://streamable.com/fbu4qp
Nga ana tjetër, kampionët e Anglisë e nisën me shumë lojtarë ofensivë nuk kishin ekuilibrat e duhur dhe u rrezikuan shumë nga Chelsea, që gjeti golin e avantazhit në minutën e 42-të me Kai Havertz, pasi kishte rrezikuar më parë me Timo Werner.
Tre minuta më parë ishte larguar nga fusha Thiago Silva i dëmtuar, por kjo nuk përberi ndryshime në fushë për blutë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e londinezëve. Në pjesën e dytë topi ishte në pjesën më të madhe në këmbët e Manchester Cityt, që pësoi një goditje të rëndë, kur De Bruyne u dëmtua në fytyrë dhe iu desh të linte fushën.
Skuadra e Guardiolas bëri maksimumin për të çarë rrethimin para portës së Mendy dhe krijoi disa raste, më flagranti me Foden, por në fund porta qëndroi e paprekur dhe gjeniu spanjoll humbet kështu finalen e parë të Champions League në karrierën si trajner dhe dështon sërish të fitojë Kupën me veshë të gjatë që nga largimi nga Barcelona. /abcnews.al