BE uron Maqedoninë

schedule10:51 - 20 Tetor, 2018

schedule 10:51 - 20 Tetor, 2018

Kanë qenë të shumta urimet për Shkupin zyrtar menjëherë pas miratimit në parlamentin maqedonas të ndryshimeve në kushtetutë. Ndryshime që shënojnë një hap para në rrugën për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

Me votimin mbrëmjen e së premtes të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, vendi shënoi një hap para drejt rrugës për anëtarësimin në NATO dhe BE. Urimet për votimin në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshime kushtetuese kanë mbërritur edhe nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“Një votë, një hap i madh drejt afrimit të marrjes së vendit që i’u takon në komunitetit tonë transatlantik”, ka shkruar Tusk në gjuhën maqedonase në profilin e tij në Twitter.

Më herët reaguan dhe eurokomisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Johanes Hahn, si dhe kryediplomatja europiane, Federika Mogerini, e cila nëpërmjet një deklarate në emër të BE-së theksoi se kjo ishte me të vërtetë e vetmja mundësi që vendi të lëvizte në rrugën e sigurtë drejt Bashkimit Evropian, si dhe qetësisë në rajon.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë vendin, të gjithë qytetarët e saj dhe institucionet e tij”, thuhej në deklaratë.

Pas votimit për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni reagoi dhe Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s Jans Stoltenberg. Ai ndërsa përshëndeti votimin në parlamentin e Maqedonisë theksoi se tani, qeveria dhe udhëheqësit politikë duhet të plotësojnë procedurat për zgjidhjen e emrit dhe të përdorin këtë mundësi historike për ta çuar vendin në NATO, shkruante Stoltenberg në profilin e tij në Twitter./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!