Nis panairi i tekstilit, lëkurës dhe modës

schedule19:54 - 19 Tetor, 2018

schedule 19:54 - 19 Tetor, 2018

Të apasionuarit pas modës, tekstilit dhe lëkurës kanë mundësi të njihen me produkte të kësaj industrie në Expocity Albania. Panairi do të qëndrojë i hapur për dy ditë.

Expocity Albania çeli panairin mbi tekstilin, lëkurën dhe modën. Të apasionuarit pas tyre do të kenë mundësi ta vizitojnë përgjate dy ditëve.

“Synimi kryesor i këtij panairi ishte ndërgjegjësimi për këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, me qëllimin që ta kthejnë në një platformë të përvitshme. Sektori i tekstileve dhe këpucëve përbën grupin më të madh të eksporteve në vend me rreth 40% të totalit. Sfida e këtij sektori është ndërkombëtarizimi i mëtejshëm”.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato e pranishme në ceremoninë e hapjes deklaroi se inciativa për të përjashtuar nënkontraktorët e kësaj industrie nga tatimi mbi vlerën e shtuar pritet t’i japë një shtysë të mëtejshme biznesit.

“Përjashtimi nga TVSH do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do ta bëjë industrinë më konkurruese. Sfida për këtë sektor, i cili ka një peshë të madhe jo vetëm te eksportet, por edhe në punësim, është që të arrijë të bëhet një industri me cikël të mbyllur dhe të mos mbetet një industri fason”.

Potenciali i industrisë së tekstilit dhe modës, rritja e bashkëpunimit në tregun rajonal si dhe orientimi i sektorit drejt tregjeve ndërkombëtare do të jetë në fokus të këtij panairi. Gjatë dy ditëve do të organizohen forume dhe ëorkshop-e gjithashtu me 20 tetor  Brigitte Heuser, Konsulente e SIPPO në fushën e tekstileve, do të trajtojë tema si eksporti i veshjeve në tregjet europiane, tendencat e tregut në industrinë e veshjeve në BE, kërkesat e blerësve në BE dhe mënyrat e promovimit të bizneseve. /abcnews.al