Bilanci i sezonit turistik, Xhafaj: Zero ngjarje të rënda

schedule22:46 - 18 Tetor, 2018

schedule 22:46 - 18 Tetor, 2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vlerëson se sezoni turistik veror 2018 u përballua me sukses nga Policia e Shtetit. Sipas ministrit sezoni numëroi zero ngjarje të rënda në zona turistike, më pak aksidente dhe më pak zhurmë në orët e vona të natës.

Nga një aktivitet i zhvilluar në bregdetin e Golemit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vlerësoi maksimalisht punën e policisë gjatë sezonit turistik veror 2018. Sipas tij, angazhimi i mbi një mijë forcave policore garantoi më shumë siguri për pushuesit, më pak incidente në ujë, më pak aksidente rrugore dhe më pak zhurma të orëve të vona në zonat turistike.

“Ne premtuam një sezon me më shumë qetësi, me më shumë rend dhe parandalim më të mirë të incidenteve dhe akteve kriminale. Një premtim tërësisht i mbajtur. Rezultati? Numri i ngjarjeve të rënda në zonat turistike ishte zero. Pati gjithashtu një ulje të ndjeshme të numrit të vjedhjeve në territoret e plazheve. Gati 100 aksidente më pak dhe një ulje e ndjeshme e aksidenteve me pasoja”, tha Xhafaj.

Sipas Xhafajt, vendosja e rreguallave të qarkullimit të mjeteve ujore u përkthye në zero incidente me këtë mjete në gjithë vijën bregdetare shqiptare.

“Në numrin 112, gjatë këtij sezoni turistik kishim gati 90% më pak ankesa nga viti i kaluar lidhur me zhurmat në oraret e vona të natës”, u shpreh Xhafaj.

Puna e policisë u vlerësua edhe nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.     

Në Shqipëri turistët nuk vijnë vetëm në dy muajt e verës, por shtatori këtë vit shënoi një rritje rekord, 44.6 përqind më shumë sesa një vit më shumë. Por ne ndryshuam shumë nga vjet. Më tepër arritje në rend, shumë më tepër siguri”, tha Klosi.

Klosi nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj vëmendje gjatë gjithë vitit edhe tek kategoritë e tjera të turizmit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!