Kryeprokurori Olsian Çela i ka kërkuar inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime në 7 prokuroritë e rretheve në lidhje me zbatimin e udhëzimeve dhe urdhrave të dhënë prej tij nga viti 2016. Çela kërkon vëzhgim në raport me shpërndarjen e çështjeve, rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve, rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave.
Njoftim
Tiranë, 25 maj 2021. Në vijim të kërkesës së paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë z.Artur Metani në lidhje me kryerjen e inspektimeve tematike, Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela në zbatim të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin e funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” si dhe Marrëveshjes së Bashkëpunimit me ILD “Për kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike dhe për shkelje individuale të magjistratëve/prokurorë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e inspektimeve tematike në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër e Vlorë, për periudhën Mars 2020 – Mars 2021.
Prokurori i Përgjithshëm, në ushtrim të funksioneve ligjore që lidhen me mbikëqyrjen nga ai të zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme, nisur nga probleme të konstatuara gjatë vitit të kaluar në këtë drejtim, si dhe në kuadër të kujdesjes për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë, duke vlerësuar si çështje prioritare ato që lidhen me garantimin e pavarësisë së prokurorëve si dhe llogaridhënien e drejtuesve dhe prokurorëve, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e inspektimeve tematike në 7 Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë me objekt masat administrative dhe procedurale të marra për zbatimin e udhëzimeve dhe urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm si më poshtë:
• Udhëzimi i Përgjithshëm nr.3, datë 29.12.2016 “Për shpërndarjen e çështjeve në prokurori”, për hedhjen e shortit elektronik;
• Udhëzimi i përgjithshëm nr.12 datë 20.07.2020 “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, i ndryshuar;
• Udhëzimi i përgjithshëm nr.10, datë 17.07.2020, “Për rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave, krimit financiar, financimit të terrorizmit dhe në hetimet pasurore për sekuestrimin/konfiskimin e aseteve/pasurive produkt i veprimtarise kriminale”;
• Urdhri nr.120 datë 08.09.2020 “Për miratimin e disa shtesave në “Rregulloren Standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm” e miratuar me urdhrin nr.32/2017”;
• Udhëzimi i përgjithshëm nr.11, datë 20.07.2020 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, dhe zbatimin e Planit të Veprimit – për zbatimin e “Rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020”, i miratuar me urdhrin nr.112, datë 27.07.2020;
• Urdhri nr.164, datë 18.12.2020 ”Për miratimin e Rregulloreve Standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apeleve me juridiksion të përgjithshëm”.
Prokurori i Përgjithshëm vlerëson si thelbësor sigurimin e llogaridhënies në sistemin e prokurorisë përmes garantimit të transparencës për publikun, në funksion të mirëfunksionimit të shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet.
/mv.abcnews.al