Pioli: S’i harroj fjalët e Maldinit, Milani im plot ambicie dhe ëndrra

schedule11:52 - 25 Maj, 2021

schedule 11:52 - 25 Maj, 2021

Stefano Pioli po konfirmohet te Milani si një trajner i aftë, strateg dhe një menaxhues perfekt i grupit të lojtarëve. Kuqezinjtë zhvilluan një sezon shumë të mirë, u shpallën nënkampionë dhe sezonin e ardhshëm do të luajnë në Champions League.

Rikthim pas shtatë vitesh në futbollin e vërtetë për “Djallin”, diçka që ka lumturuar tifozët e shumtë. Pioli ndihet mirë, por jo i plotësuar. Tekniku po mendon për sezonin e ardhshëm dhe ka një mesazh për lojtarët e tij.

E ndjej që ndodhem në vendin e duhur, një gjë e tillë më shtyn të jap gjithçka. Përpiqem të bëj diçka realisht të rëndësishme. Të gjithë po flasin për një sezon pozitiv, por unë e kam mendjen te sezoni i ardhshëm.

 

Duke festuar kualifikimin në Champions League

Duhet të vijosh të shfaqësh aftësitë e tua, të përmirësohesh dhe të rritesh. Kam përfituar nga të gjithë eksperiencat e mia për të hedhur hapin cilësor. Klubi na mbështet, ndërsa ne po japim maksimumin tonë.

Duam të çojmë përpara idetë tona, jemi gati të bëjmë gjithçka në mënyrë që t’u dhurojmë gëzim e kënaqësi tifozëve tanë fantastikë. Të fitosh trofe dhe ta bësh te Milani, do të ishte fantastike. Ama, nuk e harroj një intervistë të Maldinit.

U shpreh se për të fituar trofe, është e nevojshme që Milani të luajë 2-3 sezone radhazi në Champions League. Ne duhet të konfirmohemi dhe të rritemi, ky është objektivi ynë. Duhet të nisemi me ambicie të mëdha, jemi Milani.

Unë ëndërroj natën dhe punoj ditën për të realizuar ëndrrat e mia. Kjo është ajo që duhet të bëjmë të gjithë“, theksoi trajneri italian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!