Specialistja e vaksinimit Meria Preza ka qenë e ftuar ditën e sotme në “Radarin Informativ” ku ka folur rreth situatës së vaksinimit në vendin tonë dhe mungesave të dozave të dyta ta vaksinës.
Sipas zonjës Preza, vaksinimi do të arrihet të përmbyllet në kohën e përcaktuar dhe të gjithë ata që kanë marrë dozën e parë të vaksinës do të marrin edhe dozën e dytë.
“Lajmi i mirë është se kemi 60 mijë doza të ardhur për të mundësuar vaksinimin me doza të dyta. Do u sugjeroja të gjithëve të mos ketë panik dhe të paraqiten për dozën e dytë. Ne presim 40 mijë doza AstraZeneca me marrëveshjen Covax. Duke qenë se kjo vaksinë ka një afat kohor 3 muaj në kohën kur vjen vaksina vijojmë me dozën e dytë. Do e marrin në kohën e duhur.”
Për sa i përket vonesave me dozat e dyta të vaksinave, zonja Preza është shprehur se ka probleme dhe pengesa edhe nga prodhuesit e vaksinave, çka bën që të vonohen ngarkesat e porositura.
“Gjithmonë kemi një plan dhe ofrohet vaksinë në mënyrë që të përfundohet. Shikohet sasia e vaksinave. Në rastin e Covid nuk varen gjithmonë nga vendi që i merr por edhe nga prodhuesi.”
“Ne vaksinimin me coronaVac, e kishim filluar edhe më para vetëm një numër njerëzish nuk e patën sasinë. Patjetër që planifikohet dhe është në strategji për të dy dozat. Por po e them se ka gjëra që nuk varen vetëm nga ne por edhe prodhuesi dhe koha kur kanë vaksinën. Patjetër që është plani dhe aktualisht edhe personat që kanë dozat e dyta do ti marrin ato. Gjithashtu vaksinat me Pfizer dhe ka një interval të rregullt”
“Sa i përket vaksinës Sputnik sasia e fundit ka qenë për dozat e para. Dhe Sputnik shtyhen deri në tre muaj. Popullata që do marri dozën e parë do të presë për sa kohe vjen vaksina e dytë. Janë udhëzime që janë shpërndarë sesi duhet planifikuar dhe të mos kemi mungesën e dozës së dytë.” Tha Preza. E.L/abcnews.al/