Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj siç edhe paralajmëroi ka dalë në një komunikim për mediat.
“Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit si një gjë të zakonshme. Kandidimi im është fillimi i një projekti për ndryshimin e PD”, tha Shehaj.
Shehaj deklaroi se për të ardhur në pushtet duhet të ketë vetëm një mundësi dhe në rast të humbjes së zgjedhjeve kryetari i PD-së duhet të japë dorëheqje për të mos kandiduar më.
Lexo edhe: Çfarë ndodh nëse nuk fiton? Shehaj: Do rri në PD po nuk më përjashtoi Basha
Gjithashtu ai theksoi se Partia Demokratike ka nevojë të reformohet dhe se ndryshimi në këtë parti duhet të fillojë sot, në mënyrë që të arrihet edhe ndryshimi në Shqipëri.
Shehaj theksoi se vendit nuk i duhet politikanë të korruptuar.
Lexo edhe: Do ta përjashtojë Berishën nga Grupi Parlamentar nëse zgjidhet në krye të PD? Përgjigjet Shehaj
“Kandidimi im është fillimi i një projekti ndryshimi të Partisë Demokratike. PD duhet të ndryshojë sot që të mund të ndryshojë Shqipërinë Në 13 qershor anëtarët e PD-së nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin sërish.
Unë kam ndershmërinë për ta çuar PD në rrugën e fitores. Edi Rama është politikan i korruptuar dhe anti-demokratik. Partia jonë ka nevojë për një reformë të thellë, në mënyrë që të jetë meritokratike. Të qenit kryetar i PD-së nuk është vetëm privilegj, por dhe përgjegjësi.
Prandaj propozoj se në statut të sanksionohet se kryetari i PD-së, duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqje kur humbet zgjedhjet parlamentare,duke mos kandiduar më. Pa asnjë justifikim dhe pa asnjë përjashtim.
PD duhet të bëhet parti e konkurrencës dhe e mundësive. Për këtë duhet të sanksionohet parimi i zgjedhjet së kandidatëve nga anëtarësia, me parimin një anëtar një votë. Kështu do të fuqizojmë anëtarët dhe do të sjellim në drejtim vetëm njerëzit më të zotë”, tha Shehaj
Pjesë nga fjala e Agron Shehajt:
Vendosa të kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike, sepse u binda që udhëheqja e tanishme nuk mund ta çojë Partinë Demokratike në fitore.
Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit, si një gjë të zakonshme, si një gjë normale, pa reflektuar dhe pa ndryshuar asgjë. Kandidimi im nuk është përpjekje për të marrë një post, por fillimi i një projekti ndryshimi të Partisë Demokratike sot, për ta ndryshuar Shqipërinë nesër.
Më 13 qershor anëtarët e Partisë Demokratike nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin prapë edhe në zgjedhjet e 2025-ës. Mosndryshimi i udhëheqjes së tanishme të Partisë Demokratike është rruga e sigurtë për të humbur përsëri. Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë e duhur për ta çuar Partinë Demokratike në rrugën e fitores.
Edi Rama është politikan i korruptuar dhe antidemokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai: të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës. Me këto vlera ne do të rikthejmë besimin e qytetarëve te Partia Demokratike dhe ta çojmë atë drejt fitores.
Partia jonë ka nevojë për reformë të thellë e të menjëhershme, në mënyrë që ajo të jetë moderne, demokratike, meritokratike.
Të qënurit kryetar i Partisë Demokratike nuk duhet të jetë vetëm privilegj, por duhet të jetë edhe përgjegjësi. Prandaj propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim.
Partia Demokratike duhet të bëhet partia e konkurrencës dhe e mundësive për të gjithë. Për këtë propozoj se në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin “një anëtar, një votë”. Kështu do të fuqizojmë anëtarët dhe do të sjellim në drejtim njerëzit më të zotë. Vetëm në këtë mënyrë ne do tërheqim më shumë njerëz të zotë dhe të ndershëm, që duan të japin kontributin e tyre në politikë.
/abcnews.al/