Niveli i korrupsionit në rangje të zyrtarëve të lartë por edhe mungesa e debatit ndërpartiak brenda institucioneve demokratikeve në vend janë disa nga shqetësimet e shprehura në rekomandimet e miratuara në takimin e 13-të të komitetit të stabilizim asociimit BE – Shqipëri.
Në përfundim të takimit BE – Shqipëri në komitetin e Stabilizim Asociimit janë miratuar rekomandimet e përbashkëta për Këshillin, dhe institucionet e BE-së dhe Shqipërisë. Mes 17 pikave përmes të cilave janë formuluar këto rekomandime komiteti përsërit mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave për antarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian në qershor të 2019-s duke njohur përparimin e vendit në 5 pripritetet kyçe prej marrjes së statusit të vendit kandidat në vitin 2014.
Në pikën 3, komiteti mirëpret nisjen nga Këshilli Europian i punës përgatitore për pjesën shpjeguese të procesit screening dhe nënvizon se vendosja e një date për hapjen e negociatave do të kontribuonte pozitivisht në përforcimin e procesit demokratik dhe shtetit ligjor si një incentivë e fortë për adoptimin dhe implementimin e gjithë setit të reformave europiane si dhe rritjen e kontrollit ndaj tyre. Njëkohësisht i bën thirrje parlamentit shqiptar për një rol më deciziv sa i përket procesit të antarësimit në BE ku përfshihen monitorimi dhe implementimi i reformave në përputhje me standartet europiane. Nje thirrje ia drejton parlamentit edhe për përdorim më efikas të komisioneve hetimore apo mekanizmave vëzhgues në funksion të kontrollit ndaj qeverisë.
Rekomandimet theksojnë gjithashtu përfaqësimin e përshtatshëm të opozitës në trupat dhe proceset parlamentare ku sigurisht përsërit thirrjen për një dialog konstruktiv dhe të sinjqertë në bashkëpunimin ndërpartiak, sidomos sa i përket reformave të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian. Debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe institucioneve të tjera demokratike, thekson rekomandimi, duke nënvizuar se çdo formë bojkoti apo bllokimi i parlamentit punon de facto kundër procesit të integrimit.
Njëkohësisht me këtë rekomandimet bëjnë thirrje për krijimin e institucioneve të pavarura, jo vetëm ato të rejat të krijuara sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe prokurorisë apo byroja kombëtare e hetimit dhe njësia antikorrupsion, por edhe institucionin e gjykatës kushtetuese dhe atë të lartë. Në rekomandim Komiteti pasi lavdëron ndryshimet ligjore dhe institucionale të bëra në parandalimin e korrupsionit në institucione publike, kujton se korrupsioni mbete një problem madhor si dhe nënvizon se zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë nga trajtime të diferencuara nga ato të qytetarëve të zakonshëm në raste kur janë ngritur akuza ndaj tyre, ndaj lidhur me këtë përsërit thirrjen për implementim të qënësishëm të ligjit të dekriminalizimit.
Sa i përket luftës kundër narkotikëve, rekomandimet shprehin shqetësimin për trafikimin e drogave duke bërë thirrje për marrjen e masave kundër trafikimit jo vetëm të kanabisit por edhe drogave të forta por në veçanti fton marrjen e masave për identifikimin, procedimin dhe dënimin e anëtarëve të rrjeteve kriminale që fshihen pas trafikimit të narkotikëve si dhe të sigurojnë ngrirjen apo konfiskimin e të ardhurave që burojnë nga kto aktivitete kriminale.
Komiteti shpreh përmes këtyre rekomandiemve edhe shqetësimin lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri ku rastet e vetë-censurimit, influencave të interesave ekonomike dhe politike, por edhe intimidimi i drejtpërdrejt i gazetarëve ngrenë nevojën e implementimit të legjilacionit ekzistues si kodi i punës./abcnews.al