Policia lejon hebrenjtë të vizitojnë vendin e shenjtë

schedule16:04 - 23 Maj, 2021

schedule 16:04 - 23 Maj, 2021

Policia izraelite shoqëroi të dielën më shumë se 120 vizitorë hebrenj në një vend të shenjtë në Jeruzalem, ku veprimet e policisë javët e fundit ndezën protesta dhe dhunë që shkaktuan luftën në Gaza.

Sipas autoritetit islamik që mbikëqyr vendin, policia largoi të rinjtë palestinezë nga kompleksi i Xhamisë Al-Aqsa dhe ndaloi hyrjen për myslimanët nën moshën 45 vjeç. Myslimanëve që hynë u kërkohej të linin dokumentat e tyre të identifikimit me policinë në hyrje. Gjashtë palestinezë u arrestuan, ndërsa katër më vonë u lanë të lirë.

Policia izraelite mohoi të kishte ndonjë kufizim moshe dhe tha se arrestoi pesë të dyshuar që “shkelën rendin publik”. Zëdhënësi i policisë izraelite Micky Rosenfeld tha se vendi ishte i hapur për “vizita të rregullta” dhe se policia kishte siguruar zonën për të parandaluar “incidentet”.

Policia izraelite u përplas për pak kohë me protestuesit palestinezë pas lutjeve të së premtes në një provë të hershme të armëpushimit, i cili kishte hyrë në fuqi disa orë më parë.

Autoriteti islamik Waqf tha të dielën se ishte hera e parë që hebrenjtë lejoheshin të vizitonin vendin që nga 4 maji, një javë para se të fillonte lufta.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët. Ajo shtrihet në majë të një kodre në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit që respektohet nga hebrenjtë si vendi i tyre më i shenjtë sepse aty ishte vendndodhja e tempujve biblik. Vendi ka qënë shpesh skenë e dhunës izraelito-palestineze dhe ishte epiqendra e intifadës, apo kryengritjes palestineze të vitit 2000./VOA