Nëse deri dje, mendonim se Holanda është vendi i tulipaneve, tashme kjo hipoteze ka rënë poshtë. Tulipani është edhe shqiptar, e rritet vetëm në Surroj të Kukësit. Është një prej luleve më të bukura në botë, e tashmë e kemi edhe ne autokton e të çertifikuar nga Federata Botërore e florës dhe faunës.
“Tulipa Albanika”, kështu është emërtuar dhe është renditur i 114 në listën e bimëve endemike.
Arben Palushi, është biologu që ndjek ecurinë e habitatit të rrallë i cili u zbulua nga Besnik Hallaçi. Ndodhet vetëm në Kukës, në luginën e Drinit të Zi, në një lartësi mesatare 500 deri 800 metra mbi det.
Biologut kuksian Besnik Hallaçi, i ndare nga jeta vetëm katër muaj më parë si pasojë e Covid-19, iu desh një pune studimore 10 vjeçare për procedurën e autenticitetit të tulipanit shqiptar.
Biologu tregon për rrugën që ndoqi deri në marrjen e çertifikatës. “Ishte shumë i përkushtuar që kjo zonë të shpallet e mbrojtur,” thotë biologu Arben Palushi.
Bashkia e Kukësit shpalli zonë të mbrojtur sipërfaqe prej 72 hektarësh, në të cilën ndodhet ky habitat.
“Besniku nuk i pati gradat shkencore dhe ishte i detyruar ta mbronte nëpërmjet profesorëve të Kopenhagës,” thotë ai.
Shkencëtaret janë në studim e sipër për të përshtatur gjenet e këtij Tulipani për kultivim masiv të tij, proces i cili deri tani nuk ka dhënë rezultat, qoftë në ambiente studimore në Kukës, Tiranë apo edhe laboratorët ndërkombetar.
Kjo dëshmon në një fare mënyre se i përket vetëm atij habitati e hapësire mes livadheve e shkëmbinjve të Surrojt në Kukës. Me zbulimin e tij, Tulipani është bërë emblema zyrtare e Stemës në Qarkun e Kukësit. /abcnews.al