Problemet që shkakton bërja e një tatuazhi në lëkurë, dermatologët apel të rinjve: Mos bëni në masë

schedule22:50 - 22 Maj, 2021

schedule 22:50 - 22 Maj, 2021

Tatuazhet janë kthyer në një trend për të rinjtë në vendin tonë. Bashkë me këtë, edhe problemet që mund të shkaktojnë materialet jo cilësore që përdoren në të.

Dermatologët ngrenë shqetësimin se po rritet numri i vizitave tek të rinjtë të cilët kanë një tatuazh.  Mjekja Monika Fido, thotë se çdo javë viziton pacientë me infeksione të lëkurës.

“Mund të them që nga viti në vit këto statistika janë rritur ndjeshëm. Çdo javë mund të shohim persona me komplikime post tatuazhit, gjë që nuk është numër i vogël. Edhe grupmoshat janë më të vogla.”

Fido thotë se krahas infeksioneve të lëkurës, boja e tatuazhit mund të shkaktojë edhe sëmundje kancerogjene me kalimin e kohës.

“Pra një efekt që indukton kancerin në organizëm, si rezultat i shpërbërjes së bojës së tatuazhit në organizmin e individit. Kjo lidhet shumë me cilësinë e bojës, me sipërfaqen e mbuluar me madhësinë e tatuazhit të krijuar tek individi. Është një nga efektet anësore të shtrirë në kohë.”

Edhe heqja e tatuazheve me lazer, mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme të lëkurës. Dermatologët në të gjithë botën, bëjnë apel për mos bërjen e tatuazheve në masë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!