Egnatia është shpallur kampione e Kategorisë së Parë. Skuadra nga Rrogozhina arriti të mundë në finale kryeqytetasit e Dinamos me shifrat minimale 1-0, falë një goli, që as ata vetë nuk e prisnin. Ndeshja ishte gjatë gjithë kohës e ekuilibruar dhe të dy skuadrat kishin qëllim primar të mos humbnin.
Në pjesën e dytë Egnatia ishte pak më kërkuese, por portieri i Dinamos, Edvan Bakaj u tregua vendimtar në dy momente. Gjithsesi, nëse në disa raste ishte engjëll, në fund Bakaj u bë djall sepse ishte pikërisht ai, që i dhuroi Egnatias një gol në minutat shtesë.
https://streamable.com/jdnxzv
Portieri bëri një dalje të gabuar dhe Ndriçim Shtubina përfitoi, duke shmangur lehtë kundërshtarin dhe tundur i qetë rrjetën. Egnatia kthehet pas 16 vitesh në Kategorinë Superiore dhe gjithçka e kurorëzon me këtë trofe, që i shtohet titujve të pakët të këtij klubi, që tashmë synon të ngulë rrënjë në elitën e futbollit tonë. /abcnews.al