Në një lidhje direkte për ABC, gazetarja Erisa Zykaj raportoi, se Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor përmbushin tashmë kriterin kryesor për udhëtimet jo-thelbësore drejt Bashkimit Europian. Ky kriter ka të bëjë me numrin e personave të infektuar për çdo 100.000 banorë në 14 ditët e fundit. Kjo shton shanset për Shqipërinë të futet në listën e vendeve të sigurta të Bashkimit Europian, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt BE-së.
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian aprovuan në 19 maj ndryshimet për kriteret lidhur me udhëtimet jo-thelbësore nga vendet e treta në BE. Kriteri kryesor për të vendosur vendet e treta si ato të Ballkanit Perëndimor në listën e vendeve të sigurta të BE-së, apo me një situatë të mirë epidemiologjike, është aktualisht numri i personave të infektuar me COVID-19.
Ky numër nuk duhet të jetë më i lartë, se 75 raste të reja me COVID-19 për çdo 100,000 njerëz në 14 ditë. Komisioni Europian propozoi që niveli të ishte në 100 raste, ndërkohë që ambasadorët aktualisht ranë dakord për 75 raste. Shqipëria shënon aktualisht 24 deri në 27 persona të infektuar në çdo 100.000 banorë për 14 ditët e fundit.
Shqipëria gjithashtu nuk ka më një trend negativ lidhur me trajtimin e COVID-19, si vitin e shkuar. Edhe pse vendi ka në përgjithësi një numër të ulët testimesh, testimet në dispozicion janë shtuar.
Këto të dhëna duhet t’i komunikohen nga autoritetet shqiptare Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, pasi vendimi për ta kualifikuar Shqipërinë si vend i sigurt apo jo do merret në bazë të të dhënave të kësaj qendre nga Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian.
Lidhur me kriterin e dytë të lejimit të udhëtimeve për qytetarë ekstrakomunitarë të vaksinuar drejt Bashkimit Europian, do të lejohen vetëm qytetarët e vaksinuar me dozat e rekomanduara dhe të njohura nga Agjencia e medikamenteve europiane dhe shteteve anëtare.
Ndërkohë, shtete anëtare kanë gjetur marrëveshje lidhur me certifikatën dixhitale COVID-19, e cila do njihet në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian nga 1 korriku. Kjo certifikatë përmbledh tre elemente kryesore të dhënash: dozat e vaksinimit të kryera, testin PCR, apo testet e shpejta antigjene. Duhet theksuar, se qytetarët europianë që nuk janë vaksinuar mund të udhëtojnë, duke kryer testet PCR ose antigjene./ Abcnews.al